Pamje nga seanca e Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Pallaska: Përpjekja për Shfuqizimin e Speciales Është Vepër Penale

Sipas juristit Dastid Pallaska, Prokuroria e Gjykatës Speciale qysh sonte mund të kërkojë arrestimin e atyre që po tentojnë ta shfuqizojnë Ligjin për Gjykatën Speciale.

Sipas profesorit universitar, kjo përpjekje është pengim i drejtësinë.

“Shfuqizimi i Gjykatës Speciale për të parandaluar arrestimin dhe ndjekjen penale të disa pushtetarëve është pengim i drejtësisë, pra është vepër penale”, ka shkruar Pallaska në profilin e tij në “Facebook”.

Ai madje thotë se Prokuoria e Gjykatës Speciale mund të shpallë fletarreste për ata që po synojnë ta pengojnë drejtësinë.

“Kjo do të thotë që Prokuroria e Gjykatës Speciale ka mundësi që qysh sonte – sipas ligjit që aktualisht është në fuqi – të shpallë fletëarrestet dhe të fillojë ndjekjen penale të atyre që po synojnë të pengojnë drejtësinë!”, ka shkruar ai.

Pallaska thotë se qysh në fillim ka qenë kundër formimin të kësaj Gjykate për shkak që sipas tij, pushtetarët kanë synuar që të “blejnë” imunitet personal nga përgjegjësia penale për krimet që kanë kryer gjatë dhe pas luftës.

“Për të njëjtat arsye sot jam kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale kur kjo po bëhet për të shpëtuar nga arresti disa pushtetarë të cilëve edhe ashtu ju ka skaduar afati”, ka përfunduar postimin e tij Pallaska.