Pal Lekaj. Foto: Facebook

Pal Lekaj: Do të Mundohem ta Zbres ‘Penalltinë’ nga Bechtel&Enka

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka bërë të ditur se po punojnë që të paguajnë dëmin që i ka shkaktuar Kosovës, siç thotë ai qeverisja e kaluar në raport me kompaninë, Bechtel & Enka.

Këto komente Lekaj i bëri në emisionin Argument Plus të RTV21.

Ish ministri Lutfi Zharku, ka drejtuar akuza se kjo kosto është nxjerr tani dhe se nuk është e vërtetë që kompania ka kërkuar 63 milionë euro shtesë.

Zharku ka pranuar se Qeveria duhet të paguaj “një penallti” prej 14.8 milionë euro për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve.

Për këtë Lekaj tha se ai asnjëherë nuk pretendon të jetë avokati i Bechtel & Enkas.

“Janë pretendime që për mua, edhe ai që nuk merret fare me menaxhim, edhe një qytetar i thjeshtë e din që është diçka e paarsyeshme të thuhet se ministri Lekaj pretendon që t’ia paguajë Bechtel & Enkas 63 milionë”, tha Lekaj, shkruan rtv21.tv.

Ai tha se kjo shumë e parave apo këto pretendime janë për periudhën 2014-2016 dhe se detyrë e tij si ministër është që të mbrojë çdo cent.

“Do të mundohem që kjo shumë të zbret në minimum, por do të mundohem që të mos paguajmë prapë dëmshpërblime në këtë projekt”, shtoi ministri.

Lekaj nuk pranoi të flas se sa do të jetë shuma që do të paguhet, pasi tha se nuk dëshiron të manipulojë sepse ende nuk është arritur një marrëveshje.