Takimi i Ramush Haradinajt e Pal Lekajt | Foto: ZKM

Pal Lekaj Shpjegon Arsyet e Shtrenjtimit të Autostradës

Ministri Pal Lekaj shpjegoi me detaje arsyet pse autostrada “Arbën Xhaferi” do të kushtojë 63 milionë më shtrenjtë.

Lekaj tha se autostrada që lidh Prishtinën me kufirin me Maqedoninë do të kushtojë më shtrenjtë për shkak të vonesave në pagesë të borxheve dhe zgjatjes së afatit të punimeve.

Sipas Lekajt autostrada është dashur të përfundonte më 1 janar 2018, por qeveria e shtyri afatin e kryerjes së saj deri më 31 dhjetor 2018, pasi ekzekutivi i vendit në periudhën 2014-2016 nuk e ka paguar tërësisht Bechtel- Enkan për punën e kryer.

Lekaj tha se për zgjatjen e punimeve personeli i konzorciumit duhet të paguhet 16,6 milionë euro, pajisjet e punës 30,8 milionë dhe ndërprerjet- shpenzimet për ngecjet në pagesa në vitet 2014-2016 do të kushtojnë 10 milionë euro.

Lekaj tregoi se sa para është dashur t’i jepen Bechtel-Enkas përgjatë viteve dhe sa i janë dhenë asaj.

Në vitin 2014, ministri tha se konzorciumi që po shtron autostradën është dashur të paguhet 70 milionë euro, ndërsa atij i janë dhënë 55 milionë e 468 mijë e 527 euro.

Në vitin 2016, sipas Lekajt, është dashur të paguhen 205 milionë, ndërsa janë paguar 155 milionë e 978 mijë euro.

Lekaj tha se edhe rritja e TVSH nga 16 në 18 për qind ka shkaktuar rritje të çmimit të autostradës nga 599 milionë e 944 mijë e 263 euro në 608 milion e 348 mijë e 630 euro.

Ai tregoi se përkundër 100 takimeve edhe të ish-ministrit me Bechtel-Enka-n, nuk ka qenë e mundur të shmanget rritja e çmimit.

Lekaj deklaroi në fund se nëse çështja do të shkonte në arbitrazh, mund të humbiste i tërë buxheti i Kosovës.