Pakoja e Projektligjeve nuk i Eviton Defektet për të Drejtat Pronësore të Grave

Projektligji për Trashëgiminë, ai për Procedurën Jokontestimore dhe ai për Noterinë janë tri projektligje të propozuara nga Ministria e Drejtësisë të cilat janë miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës, ndërsa  përmes tyre po synohet përmirësimi i pozitës së gruas në çështjet trashëgimore.

Megjithatë, kryesuesja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu tha se këto tri projektligje nuk kanë adresuar rekomandimet e pranuara nga shoqëria civile, ndërsa veçoi rekomandimet e dhëna nga BIRN për të cilat tha se gëzojnë mbështetjen e saj.

“Sa i përket Projektligjit për Trashëgiminë unë konsideroj se nuk janë adresuar problemet me të cilat ballafaqohemi sa i përket procedurës së trashëgimisë apo të drejtës në trashëgimi në Kosovë. Ne kemi pasë propozime edhe nga shoqëria civile dhe secili adresim i tyre i paraqitur në komision unë e mbështes dhe e kam mbështetur edhe në ta kaluarën”, tha Haxhiu.

Xhevat Azemi nga programi për të drejtat pronësore të USAID tha se janë munduar që rekomandimet e dhëna të jenë në përputhje me Strategjinë për të Drejtat Pronësore në Kosovë.

“Kemi një situatë shumë të paqartë në Ligjin aktual të Noterisë rreth procedurave trashëgimore dhe trashëgimisë jo-kontestimore, ka edhe çështje tjera të paqarta se me çfarë procedure kryhet trashëgimia, me çfarë akti vendoset për trashëgiminë”, tha Azemi.

Propozime lidhur me Projektligjin për Noterinë paraqiti edhe Fitim Sadiku nga organizata Polis. Sadiku propozoi që të ndërmerren masa që evitojnë fshehjen apo mosdeklarimin e trashëgimtarëve.

“Në rast që ndodh kjo që verifikohet në cilëndo formë në mënyrë automatike ndërpritet rasti dhe nuk mund të vazhdojë dhe në të njëjtën kohë njoftohet Oda e Noterëve dhe të gjithë noterët që lidhur me këtë rast nuk mund të procedohet ma tutje”, tha Sadiku.

Të gjithë pjesëmarrësve iu dha afat që deri të premten të dorëzojnë në Komisionin për Legjislacion rekomandimet e tyre në formë të shkruar.

BIRN tashmë për të dytën herë ka dorëzuar në Komisionin për Legjislacion disa rekomandimet lidhur me të drejtat pronësore me zbatimin e së cilave synohet që ndjeshëm të përmirësohet pozita e gruas në procedurat trashëgimore.

Rekomandimet e BIRN janë mbështetur edhe nga anëtarët e tjerë të komisionit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndërsa BIRN do të jetë pjesë e grupeve punuese lidhur me këto projektligje.