Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti | Foto: MF

Pakoja e Dytë Fiskale Para Odës dhe Bizneseve

Pakoja e re fiskale 2.0, ishte arsyeja e organizmit të një tryeze diskutimi nga Ministria e Financave me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe përfaqësues të tjerë të biznesit.

Në këtë takim u fol për masat që parasheh kjo pako dhe propozime tjera që mund të përfshihen në të. Deri në fillim të muajit shkurt pritet që kjo pako të kthehet në Qeveri për aprovim.

“Qëllimi i këtij takimi është që ne të prezantojmë para juve disa masa të reja të politikës fiskale që kemi aprovuar në qeveri në dhjetorin që shkoi, edhe të marrim nga ju inpute, sugjerime shtesë për të plotësuar këto masa, për të nxjerr masa të reja,” tha ministri Hoti.

Më tej Hoti njoftoi se në fund të janarit apo fillim të shkurtit do të aprovohen këto masa.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës  Safet Gërxhaliu tha se dialogu i këtillë qeveri-biznes duhet të vazhdojë.

“Për të qenë sa ma afër biznesit, si Odë Ekonomike kemi apelu te ministri dhe ministresha që këto takime t’i mbajnë në këtë format. Se askush nuk i di problemet dhe sfidat e të bërit biznes më tepër se ju se jeni në përditshmëri me këto aktivitete dhe besoj që kjo formë e komunikimit do të jetë në funksion të hartimit të pakos fiskale e cila do të jetë në funksion të zhvillimit, “ tha Gërxhaliu.

Pa dialog dhe partneritet, sundim të ligjit, biseda dhe dialog më të madh ndërinstitucional sipas Gërxhaliut nuk mund të përmirësohet ambienti biznesor.

Në takim, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami foli për detyrat dhe përgjegjësitë e kësaj ministrie për të kontribuar për pakon e re fiskale.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë obligimet që të ndihmojë Ministrinë e Financave. Janë disa udhëzime administrative të cilat na bëjnë neve përgjegjës për nxjerrjen e tyre dhe ne do të punojmë së bashku me të gjithë juve, në mënyrë që të kemi një paketë fiskale më të mirë,” tha Bajrami.

Zgjerimi I listës së lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor, heqja e normës së akcizës në mazut që përdoret për qëllim prodhimi, ndryshimi dhe plotësimi I listës së  produkteve që I nënshtrohen normës të reduktuar të TVSh-së prej zero ose 8 për qind, janë disa nga risitë e pakos së dytë fiskale.

Kjo pako parashikon edhe nxjerrjen e në akti legjislativ për kontrollin e miellit përkatësisht vendosjen e banderolave në paketimet e këtij produkti, Udhëzimin Administrativ për Pushimet Tatimore që buron nga Ligji për të Ardhurat e Korporatave, nxjerrjen e një akti legjislativ për trajtimin nga prishja apo humbja në peshë e produkteve dhe krijimin e kodeve të reja doganore për të lehtësuar importin dhe eksportin e produkteve.

Ministri Avdullah Hoti tregoi se pakoja do të përfshijë edhe një listë ku do të renditen kompanitë në bazë të kryerjes së obligimeve ndaj institucioneve shtetërore dhe varësisht nga kjo kryerje obligimesh edhe do të përfitojnë.

Në këtë tryezë diskutimi shoqatat e ndryshme të biznesit patën mundësin të japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre lidhur me pakon e re fiskale dhe atë ekzistuese.

Për pakon e dytë fiskale KALLXO.com shkroi edhe një javë më parë.