Foto: TV21

Pako e dyshimtë në Spitalin e Pejës, evakuohen pacientët

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj për portalin rtv21.tv tha se rreth orës 10:56 ka marrë informatë se është vërejtur një pako e dyshimtë.

Sipas policisë ajo pako ende nuk është identifikuar, ndonëse policia njofton se ekipet kompetente janë dërguar në vendin e ngjarjes.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton se askush nuk ka nevojë të shqetësohet për pacientët ngase ata po trajtohen dhe janë marrë masa që kujdesi ndaj tyre të bëhet edhe pas evakuimit.

“Një objekt i dyshimtë në një qese është parë para pak kohe në oborrin e Spitalit, dhe Policia e Kosovës ka urdhëruar evakuimin e pacientëve të Repartit Kirurgjik dhe Pediatrik derisa ekipet profesionale të Policisë të saktësojnë se për çfarë mjeti bëhet fjalë”, njoftohet nga Spitali i Pejës.

Sipas këtij njoftimi vizitat tek pacientët sot janë ndërprerë për shkak të situatës së krijuar.