Banka Qendrore e Kosovës

Më Pak Ndërmarrje të Regjistruara dhe të Mbyllura

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të publikuara në raportin e rregullt të vlerësimit të ekonomisë për tremujorin e tretë, deri në shtator 2017 është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara dhe numër më i vogël i ndërmarrjeve të mbyllura në raport me vitin e kaluar.

Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara ishte 7 mijë e 302 apo 871 ndërmarrje më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2016, ndërsa, u mbyllën 1 mijë e 191 ndërmarrje.

“Numri më i madh i ndërmarrjeve të reja të regjistruara vazhdon të jetë i koncentruar në sektorin e tregtisë me 1,951 ndërmarrje të reja, pasuar nga sektori i hotelerisë me 747 ndërmarrje, sektori i prodhimit me 724 ndërmarrje”, thuhet në raport.

Sipas vlerësimeve të BQK-së, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, në shumicën e sektorëve është shënuar numër më i vogël i ndërmarrjeve të regjistruara.

Në sektorin e prodhimit është shënuar rënia më e madhe e ndërmarrjeve të reja të regjistruara prej 211 ndërmarrje më pak, pasuar nga sektori i tregtisë që u karakterizua me 200 ndërmarrje më pak të regjistruara.

Sektorët kryesorë që shënuan numër më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara ishin sektori i aktiviteteve profesionale dhe sektori i ndërtimtarisë 88 përkatësisht 9 ndërmarrje më shumë.