Pak Ftesa Për Pasardhësit e Themeluesve

Rrethanat i kanë shpërndarë e shumë nga ta koha i ka humbur. Pasardhësit e 78 burrave që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, vështirë gjenden.

Njëqind vjet që nga dita ngritjes së flamurit në Vlorë, shumë prej pinjollëve të burrave të kombit nuk kanë as adresë për t’i kërkuar. Disa u ndoqën nga fashistët, disa nga zogistët e shumë syresh  u ndoqën e internuan nga regjimi komunist.

Vendndodhjen e tyre nuk mundi tua gjejë as Instituti i Historisë në Tiranë. Për t’i ftuar në ditën e dytë të  Konferencës Shkencore të titulluar “100 vjetori i pavarësisë”, që nisi të hënën, ky institucion arriti të siguronte vetëm 30 kontakte të pasardhësve, nga 78 nënshkruesit e deklaratës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar adresarin zyrtar të këtij instituti nëpërmjet të cilit është munduar tu gjendet fija pasardhësve të firmëtarëve të pavarësisë.

Sipas të dhënave të këtij instituti, disa pasardhësve nuk u dihet as vendndodhja, ka të tjerë që u është shkëputur lidhja e gjakut, por ka edhe  pinjollë që janë në burgje.

Njëqind vjet nga dita kur u bë Shqipëria, vendi  nuk ka dokument faktik që tregon degëzimin e pasardhësve të atyre që formësuan juridikisht shtetin.

“Vetë pasardhësit kanë mundur të bëjnë ndonjë kërkim familjar, por nuk di të ketë studim të veçantë për këtë”, thotë  historiani Pëllumb Xhufi për Gazetën Jeta në Kosovë.

“As për shumë prej atyre që e nënshkruan aktin e pavarësisë, nuk ka monografi. E sa për trashëgimtarët as që bëhet fjalë”, shtoi ai.

Por, ku janë e çfarë ka ndodhur me disa prej pasardhësve të atyre burrave?

Stërgjyshi ynë e bëri Shqipërinë, por ne i konsideronim me fat ata që ikën

Darling Vlora është stërnipi  i Ismail Bej Vlorës, njeriut që ngriti pavarësinë në Vlorë dhe u bë Kryeministri i parë i shtetit shqiptar.

“Të jesh pasardhës i një figure kaq të madhe të kombit është krenari, por krenari që nuk e kalon limitin e mendjemadhësisë”, thotë Darling Vlora për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Brez pas brezi nuk kemi dalë asnjëherë jashtë kësaj konrize, të diturit për prejardhjen tonë”.
Pasardhësit e Ismail Bej Qemalit janë të shpërndarë dhe shumë nga ta jetojnë jashtë Shqipërisë.

 
Ismail Bej Vlora, portret  

 

I martuar me Kleoniqinë, Ismail Qemali pati dhjetë fëmijë, 6 djem e katër vajza. Njëra prej tyre i vdes në moshë të vogël.

Nga 6 djemtë që kishte, vetëm dy prej tyre, i madhi, Mahmud Vlora dhe i vogli Qamil Vlora lanë pasardhës. Të tjerët ose vdiqën të rinj ose u martuan por nuk patën fëmijë.

Darlingu që  tashmë jeton në Milano të Italisë thotë se gjyshi i tij, Qamil Vlora, kishte dy djem, Ismailin dhe Xhevdetin. 

Nga Ismaili janë pesë fëmijë, Kleoniqinë (i përtërirë emri i gjyshes, përkatësisht gruas së Ismail Qemalit), Arianën, Qamilin, Elvindën dhe Darlingun. Kurse Xhevdeti ka Adën dhe Qemalin.

“Në linjë të drejtpërdrejtë nga ata që jetojmë sot, jemi nëntë pasardhës nga dy vija mashkullore, nga djali i madh dhe i vogël i Ismail Qemalit”, thotë Darlingu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërkohë, nga djali i madh i Ismail Qemalit, Mamudi, kanë lindur Blanch, Suzana dhe Aleksandri. Në vijën mashkullore të gjakut, nga Aleksandri  janë Vitona dhe Nedimi por të cilët jetojnë në Bari të Italisë.

Nga gjithë brezi i ri, pasardhës të Ismail Qemalit nga vija e gjakut mashkullor, tash për tash janë katër trashëgimtarë.

“Ata që patën fatin të largohen nga Shqipëria, siç janë pasardhësit e Mahmudit, djalit të madh të Ismail Qemalit, patën mundësi të evidentonin vlerat e tyre”, thotë Darling Vlora. “Pasardhësit që jetuan në Shqipëri u luftuan nga diktatura komuniste”.

 
Darling dhe Arjana Vlora, stërnipët e Ismail Bej Vlorës  

 

Ai përmend babanë e tij, Ismailin, për të cilin thotë se kishte studiuar në Francë në vitet 40-të dhe në fund bënte punë krahu në Shqipëri.

“Ky ishte paradoksi sepse derisa stërgjyshi ynë u mundua të bëjë Shqipërinë, ne i quanim me fat ata që ikën nga Shqipëria”, thotë stërnipi i Ismail Bej Vlorës.

Ai thotë se luftimi i kësaj figure për gjysmë shekulli është vështirë të rehabilitohet nga shteti për një periudhë aq të shkurtër. “Por deri diku gjërat pak nga pak janë evidentuar”.

Arjana Vlora, stërmbesa e Ismail Qemalit e cila jeton në Tiranë thotë se derisa pasardhësit e kësaj figure të lartë gjatë tërë regjimit komunist u internuan dhe u lanë pa shkollë, tash duhet të vlerësohen.

“Nuk na lanë të shkollohemi, nuk na vlerësuan, nuk na respektuan. Nuk jemi familje që duam të kalojmë nëpër politika”, thotë Arjana Vlora për Gazetën Jeta në Kosovë.  “Ne jemi për Shqipërinë, Europën e botën. Jemi njerëz dhe i duam njerëzit”.

Bedri Pejanit komunistët ia fshinë nënshkrimin nga deklarata e pavarësisë

Fotografitë e tij janë të varura në murin e dhomës ku rri. Në mesin e shumë kujtimeve janë edhe ato kur takonte gjyshin, patriotin Bedri Pejani, një nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë.

foto  
Bedri Pejani, portret

Kjo është Meleqe Bakalli-Shpuza, tash 79 vjeç, mbesa e Bedri Pejanit.
Si dhjetë vjeçe, ajo kishte përjetuar disa herë ardhjen herë nga Franca e herë nga Gjermania të Bedri Pejanit në shtëpinë e tyre. Ajo thotë se në atë kohë, gjyshi i saj ishte i internuar nga regjimi zogist e më vonë edhe ai komunist.

“E donte shumë muzikën. Dy lloje i pëlqenin. Mbaj mend se e pëlqente shumë Bethovenin dhe muzikën tonë popullore”, thotë Meleqe Bakalli-Shpuza për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Ka ditur edhe përralla. Por kaq mbaj mend nga ai”.

Lidhja e saj e gjakut me Bedri Pejanin është shumë e shkurtër. Bedri Pejani ishte martuar me Sadete Pashallarin të cilët kishin dy fëmijë, Neziha Pejanin dhe Genc Pejanin.

 
Neziha Pejani, e bija e Bedriut  

 

Nga martesa e Neziha Pejanit me Asim Abdurrahmanin, lindën Meleqja, Nermini dhe Mehmeti, të cilët janë pasardhës të Bedri Pejanit nga vija e gjakut femëror.

Tash Meleqja ka tre fëmijë, dy vajza e një djalë. Dy prej tyre jetojnë jashtë shteti. Motra tjetër e saj, Nermini jeton në Itali dhe ka dy djem e një vajzë kurse vëllai i saj Mehmeti i cili ka vdekur, ka lënë dy vajza e një djalë.

Nga vija e gjakut mashkullor të Bedri Pejanit, janë djali i tij, Genci i cili pati dy fëmijë, Bedriun (emër i përtërirë) dhe Anushkën.

Bedri Pejani i ri tashmë ka dy djem kurse Anushka, mbesa e Bedri Pejanit të vjetër në lidhjen e gjakut mashkullor jeton në Dubai.

 
Melaqja, mbesa  

 

Edhe Meleqja thotë se si pasardhës të një personaliteti të madh si Bedri  Pejani, nuk kanë gëzuar kurrë respekt. Madje ajo tregon se familja e saj ka qenë e internuar. “Motra ime Nermini kishte vetëm 40 ditë që kishte lindur dhe na internuan”, thotë Meleqja.

Ajo rikujton se regjimi komunist e kishte fshirë  nënshkrimin e Bedri Pejanit nga deklarata  e pavarësisë. “Edhe fotografinë ia fshinë. Për të nuk u fol deri pas viteve 90-ta”, thotë ajo.

“Një herë fashisti, pasta j Zogu e në fund kapak i vuri komunisti”.

Historiani Pëllumb Xhufi thotë se historiografia shqiptare ka probleme shumë të mëdha.

“Ne kemi ngelur me një monografi të Hasan Prishtinës të shumë viteve më parë, e mangët dhe e tejkaluar”, thotë  ai.

Xhufi përmend edhe nënshkruesin tjetër të aktit të pavarësisë, Ferit Vokopolën, personalitet  i cili sipas tij, meriton që edhe punim doktorature të bëhet me ato çfarë ai ka bërë.

 “Apo ka edhe të tillë si Nexhip Draga e Bedri Pejani”.