Foto: Barnes & Noble/ Facebook

Pajtim Statovci dhe Kthimi i Çrregullt në Vendlindje

Së voni u takova me një shok timin shkrimtar në një bar të vjetruar në Berlin, disa blloqe larg kafeneve “Tetova” dhe “Shkupi” të mbushura me mallin e shqiptarëve të diasporës. Flisnim për atë se a është përvoja e të qenit nga Ballkani e gjitha ajo që një shkrimtar mund të ofrojë dhe se a do të ishte një temë e sinqertë për të cilën ne mund të shkruajmë. Por, kur një shkrimtar ballkanas shkruan për një audiencë që kalon përtej vendores (dhe gjuhës së tyre), ata duhet të merren me çështjen e ‘shkrimtarit minoritar’ që nuk e ka luksin e universalitetit (sikur p. sh. Dikensi apo Dostojevski). Ata mund ta shfrytëzojnë vetëm ekzotizmin e tyre kulturor për ta tërhequr lexuesin (pak gjak, pak mjaltë, ja pra!). Kjo mund të jetë skajshmërisht problematike për shkrimtarët minoritarë, vepra e të cilëve shitet si ‘Letërsi Botërore’ për shkak të dallimeve kulturore, mbase më fort sesa për vlerën letrare. (Kërkoj ndjesë që po i thjeshtoj disa parime të studimeve post-koloniale për hir të argumentit.)

Problemi duhet të rroket në ballë – kurdo që shkruajmë, ne nuk shkruajmë në vakuum. Ne shkruajmë në diskutim me një histori të literaturës për Ballkanin që është shkruar nga rrugëtarët perëndimorë.

Njëkohësisht, kur dikush vjen nga një kulturë minoritare, ata e kanë edhe të drejtë, edhe detyrë ta përfaqësojnë atë. Por, njëjtë sikur një autor/rrugëtar që mund ta ekzotizojë Ballkanin apo viset tjera ku ekziston “Tjetri,” edhe autori minoritar që shkruan për një audiencë jo-minoritare po ashtu ecën përgjatë hendekut të ngushtë mes përfaqësimit – jetësimit të një përvoje, dhe ekzotizimit të saj – reduktimit të asaj përvoje në stereotipe të thjeshta.

Romani debutues i Pajtim Statovcit “My Cat Yugoslavia” (Macja ime Jugosllavia) i ngrit çështjet e njëjta. Duke qenë kosovar i zhvendosur në Finlandë si dy vjeçar në fillim të viteve të 90-ta, Statovci shkruan në gjuhën finlandeze dhe pasiqë libri është blerë nga shtëpia botuese Penguin Random House, romani i tij i parë është tash i botuar edhe në anglisht. Meqenëse janë shumë pak libra shqip që përkthehen në anglisht, e madje edhe më pak libra për apo nga Kosova, rrëfimi i Statovcit për një nënë dhe bir emigrantë shqiptarë nga Kosova sigurisht që do ta ndezë interesimin e entuziastëve të Ballkanit si dhe vendasve. Ngjashëm, titulli “My Cat Yugoslavia” duket se është aty vetëm për t’ua përçuar lexuesve se libri ka të bëjë me atë rajon të zymtë, edhe pse Jugosllavia nuk është kafsha shtëpiake e askujt.

Sidoqoftë, romani është një debutim i patrembur. Duke i treguar historitë e Emines dhe birit të saj Bekimit në vetë të parë, libri i jep lexuesit një vështrim intim brenda jetëve private të dy njerëzve që nuk mund të jenë më të ndryshëm nga njëri-tjetri, edhe pse ata vuajnë ngjashëm nga turpërimi dhe dhuna e kryer nga sistemi patriarkal, i përfaqësuar nga karakteri i një babai ashpërsisht të dhunshëm, Bajramit.

I botuar në Finlandë në vitin 2014 me shumë lëvdata, romani është po ashtu një rrëfim i kalimit në pjekuri të një emigranti me seksualitet queer dhe barra e të qenit nga një kulturë tradicionalisht homofobike (një përvojë seksuale me një burrë homoseksual të martuar në Prishtinën e sotme ka për qëllim ta shfaqë mjedisin shtypës të vendlindjes së rrëfyesit).

Libri ndahet në kapituj mbi Eminen, historia e së cilës fillon në vitet e 80-ta në një fshat të vogël në Kosovë para se ta takonte dhe martohej me babanë e Bekimit, dhe kapituj të shkruar nga këndvështrimi i Bekimit në Finlandën bashkëkohore. Historia e Emines shpaloset ngadalë, një fejesë dhe martesë tradicionale në Kosovë të shpjeguar hap pas hapi, përderisa kapitujt për Bekimin shfaqin urgjencë dhe përfshijnë janë më të gjerë, prej vrerit të grumbulluar për shkak të keqtrajtimit si refugjat në fillim të viteve të 90-ta, figura e rëndë e një babai të dhunshëm që mungonte, deri te lidhjet e dështuara të dashurisë. Në shumë aspekte, këto dy pjesë ngjajnë si novela të ndryshme.

Ky është një libër lozonjar: Bekimi merr një bollë si kafshë shtëpie edhe pse u frikësohet gjarpërinjve qysh nga fëmijëria, dhe i duhet ta fsheh kur një mace që flet të cilën e takon në një gay bar, fillon të banojë me të. Macja, melodramatike dhe autoritare, në një moment gati furet nga bolla, por shpëtohet nga Bekimi në çastin e fundit.

Në shkrimin e Statovcit ka momente gjeniale– është me të vërtetë argëtuese kur autori e përqafon absurditetin dhe çudinë. Por, po ashtu pengohet nga vojerizmi antropologjik, paraqitjet e panevojshme të dhunës pa ndonjë lidhje me fabulën dhe metaforat e hedhura vend e pa vend (kur bëhen shumë mace?).
Historia e Bekimit është tepër e njohshme – turpi ishte gjë qendrore në arsimimin e Bekimit të ri e të ndrojtur, i cili i pret të gjitha lidhjet me vëllezërit dhe motrat pasi ia zbulon babait orientimin seksual dhe e lë shtëpinë e fëmijërisë njëherë e përgjithmonë. Turpi po ashtu gjendet në kujtimet e tij gjatë vizitave verore në Kosovë, ku aftësia e tij e dobët në të folurit e shqipes e shqetëson gjyshin e tij se fëmijët po harrojnë prej nga vijnë dhe kush janë. Turpi e përcjell Bekimin e ri në shitore kur përkthen gjuhën finlandeze për prindërit e tij që nuk dinë ta flasin atë; turpi është ajo çfarë babai i tij e mëson kur i këshillon të mos i tregojë askujt se prej nga vjen. Proza e Statovcit është e fuqishme në përshkrimin e tjetërsimit të një të riu që gjendet ndërmjet kulturash, por nuk identifikohet me asnjërën.

Në anën tjetër, Eminja, nëna e Bekimit, është mjet për të shtyrë përpara pjesën më të madhe të tregimit që ndodhë në Kosovë. Për një shqiptar të Kosovës, kapitujt për Eminen do të ngjajnë sikur një ekspoze antropologjike e çakorduar, vojeristike në një shkallë të pabesueshme kur vjen te zakonet; filmike në përshkrimin e hollësishëm të burrave të dhunshëm shqiptar, por pa kuptim ose qëllim për tu marre me politikë. Ёshtë për të ardhur keq që një libër që përmban emrin Jugosllavi në titull nuk flet për pasojat e të qenit shqiptar në vitet e 80-ta dhe 90-ta në Kosovë. Po ashtu meriton keqardhje fakti që Statovci nuk përqendrohet në stratifikimin shoqëror në Kosovë  në mes rurales dhe urbanes, sidomos pasi Eminja dhe Bajrami zhvendosen nga një fshat në Prishtinë.
Në vend të asaj, Eminja përshkruan lajmet mbi mosmarrëveshjet mes shqiptarëve dhe serbëve sikur dikush t’i fliste kinezisht. Shpeshherë ajo tingëllon anakronike duke i përshkruar shtëpitë dhe njerëzit si “kosovarë (Kosovan)”, një mbiemër që shumica e shqiptarëve të Kosovës nuk do ta kishin përdorur kurrë për t’i përshkruar shtëpitë, dhe sigurisht jo para luftës së vitit 1999 dhe pavarësisë në vitin 2008. Mungesa e vetëdijes politike te karakteret është e falshme për Bekimin si imigrant i brezit të dytë, por duket krejtësisht e pabesueshme për “një grua tipike kosovare,” siç Statovci mbase do ta quante Eminen.

Ngjashëm, përzgjedhja e Statovcit për epigraf është një thënie nga Ivo Andriq, laureat i çmimit Nobel nga Bosnja, në gjuhën serbokroate. Është një zgjedhje e çuditshme duke pasur parasysh politikat anti-shqiptare të Andriqit – një ideologji që përfundimisht çoi në ikjen e familjes së Statovcit nga Kosova – dhe mungesës së plotë të serbëve në libër (me përjashtimin e vetëm të këngëtarit sarajevas Zdravko Çoliq në televizorin e Emines). Edhe kjo, sikur titulli, duket e sforcuar – duken si shtojca editoriale për t’i ofruar lexuesit një kontekst për Kosovën si pjesë e një rajoni më të gjerë, por disi duke dështuar të ofrojë njohuri për librin apo vetë historinë.

Mbase sikundër Bekimi që me të rritur kthehet në Kosovë dhe përballet me druajtjet e tij, Statovci i kërkon rrënjët e tij letrare në Ballkan. Por do të jetë vështirë pa e studiuar mirë historinë e njerëzve dhe rajonit, dhe sigurisht pa e rrokur politikën e jetës në këtë pjesë të botës. Çdo gjë tjetër do ta lë këtë shkrimtar tejet të talentuar në pozitën e një ‘informuesi vendor’ (native informant), tezgaxhi i dallimeve kulturore, dhe jo më shumë.