Pajisjet Për Kontroll të Automjeteve, të Pakalibruara

Rreth 320 mijë vetura sa regjistrohen çdo vit në Kosovë i nënshtrohen kontrollimit teknik nga pajisje të cila për më shumë se 12 vite nuk janë kalibruar asnjëherë nga Agjencioni i Metrologjisë, apo nga ndonjë kompani e autorizuar nga shteti.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, përgjegjësia për zbatimin e ligjit i cili i obligon qendrat për kontrollin teknik të automjeteve që së paku një herë në vit ta bëjnë kalibrimin e pajisjeve të tyre bie direkt mbi Ministrinë e Infrastrukturës, e cila i ka licencuar deri më sot 105 qendra për kontrollin e automjeteve.

Mirëpo, siç  transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës arsyetohen me mungesën e një institucioni kredibil që mund ta kryejë kalibrimin e pajisjeve të qendrave për kontrollimin teknik të automjeteve.

Nebih Shatri nga Departamenti i Vetura në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se nuk kanë mundur t`i kushtëzojnë këto biznese që të kryejnë kalibrimin edhe pse këtë e kërkon ligji, pasi që shteti s`ka pasur kapacitete t`ua bëjë një kontroll të tillë.

Ai thotë se tani kur kanë arritur që ta kenë një kompani në treg e cila ka marrë autorizimet për ta kryer kalibrimin, në terren janë shfaqur problemet, pasi që pronarët e qendrave për kontrollin e veturave kanë refuzuar ta bëjnë kalibrimin me çmimet që i ka ofruar kompania e autorizuar “Autoinstrument”.

Ai ka thënë se nga një janari i viti 2017-të, nuk do të lejojnë, apo ri-licencojnë asnjë qendër të kontrollit teknik të veturave pa e patur të kryer procesin e kalibrimit.

Emisionin e plotë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: