Foto: Uran Ismaili/Facebook

Pajisje për Matjen e Diabetit dhe Kontrollin e Zemrës për QKMF-në e Lipjanit

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka njoftuar se qytetarët e Lipjanit tash e tutje do të mund të bëjnë matjen e sheqerit në mënyrë të avancuar, kontrollin e zemrës me EKG 12-kanalëshe dhe operime të ndryshme të vogla në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

“Sot, bashkë me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dorëzuam setin e fundit me 15 pajisje bazike mjekësore. Të njëjtat shërbime mund t’i bëjnë edhe qytetarët e 12 komunave tjera të Kosovës, të cilat kanë përfituar ndihmën e njëjtë me pajisje të ndryshme, që kapin shumën e 400 mijë eurove”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Sipas tij, kujdesi primar shëndetësor është dera e parë në të cilën qytetarët trokasin për ndihmë. Ismaili tha se investimet do të shtohen edhe më tej për t’i avancuar shërbimet nëpër komuna.

Në anën tjetër edhe kryetari i Komunës së Lipjanit Imri Ahmeti ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë furnizim më të rregullt me barna esenciale për QKMF në Lipjan.

Ahmeti ka thënë se ky donacion do të jetë një ndihmesë e mirë për efikasitet më të madh të punëtorëve shëndetësor.

“Ne do të mbajmë me fokus shëndetësinë, do të investojmë në infrastrukturë dhe aparaturë të nevojshme mjekësore, ndërsa Ministria e Shëndetësisë duhet të jetë më efikase në furnizim me barna esenciale në menyrë që të përmbushen nevojat e pacienteve”, ka thënë Kryetari Ahmeti.

Edhe Bernhard  Soland, zëvendësdrejtor i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), tha se para se të fillonte projektin kanë analizuar  situatën në mjekësinë primare për të parë se si është gjendja me pajisjet themelore.

Ndërsa Agim Krasniqi, Drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Lipjanit, tha se këta artikuj do të ndikojnë në ofrimin e shërbimit më të mirë në këtë qendër në Lipjan.

Këto pajisje përfshijnë 15 artikuj bazik si peshore, pajisje për matjen e tensionit të gjakut dhe pajisje për operime të vogla dhe këta 15 artikuj tani janë shpërndarë në më shumë se 80 qendra të KPSH-së në 12 komuna që mbështeten nga ky projekt.