Zenun Pajaziti

Pajaziti: Gjykatat të na Bindin për Dënimet

Zenun Pajaziti duke folur në emër të grupit parlamentar të PDK-së në debatin e sotëm për vlerat e luftës tha se gjykatat duhet të bindin njerëzit se po shqiptojnë dënime të drejta.

“E konsideroj përveç e drejtë, gjykata duhet të jetë bindëse në vendimet që merr. Jemi të vetëdijshëm që askush nuk duhet te jetë mbi ligjin, por fjala dëshmi nënkupton dëshmi që të binden edhe të gjithë qytetarët edhe i akuzuari të bindet, por po ndodh e kundërta në gjithë proceset kundër gjithë ushtarëve të UÇK-së,” tha Pajaziti.

Ai deklaroi se vendimet duhet të bazohen në fakte.

“Ne nuk guxojmë të lejojmë që për agjenda politike të kujtdo të kemi vendime pa fakte që sjellin vendime me fakte të fabrikuara,” tha Pajaziti.

Ai tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.

“Lufta ishte e drejtë dhe për liri kundër gjenocidit. Luftën nuk e dëshiruam por ishim të shtrënguar te luftojmë. Duke qenë e pastër dhe e drejtë u mbështet edhe nga faktori ndërkombëtar,” tha Pajaziti.

Pikërisht për shkak të vështirësive të bërjes së shtetit Pajaziti kërkoi kujdes kur shqiptohen vendimet gjyqësore.

“Ne kemi luftuar me shekuj që të kemi shtet të së drejtës e ligjor, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm që asnjë pushtet të mos degjenerojë me vendimet e tij në emër të drejtësisë e sistemit ligjor,” tha Pajaziti.

Ai falënderoi të gjithë ata që ndihmuan Kosovën.

“Partnerë ndërkombëtarë na ndihmuan në luftë e paslufte. Na ndihmojnë edhe sot,” tha Pajaziti duke shprehur mirënjohjen për këtë.