Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli

Pacolli Zyrtarisht i Bashkohet Koalicionit PAN

Disa orë pasi e ka shpallur largimin nga koalicioni parazgjedhor me LDK-në dhe Alternativën, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka nënshkruar marrëveshje me koalicionin rival – PAN.

Marrëveshjen Pacolli e ka nënshkruar me drejtuesit e partive që përbëjnë koalicionin PAN, Kadri Veselin të PDK-së, Ramush Haradinajn e AAK-së dhe Fatmir Limajn e Nismës për Kosovën.

Kadri Veseli tha se kjo marrëveshje është për qytetarët e Kosovës, për orientimin perëndomor, për Kosovën e zhvilluar ekonomikisht dhe për perspektivën e djemve dhe vajzave të Kosovës.

“Fuqizimi i shtetit dhe sovranitetit do të jenë prioritetet tona”, theksoi Veseli.

Formimi i institucioneve është çështje ditësh, shtoi ai.

Ndërsa, Behgjet Pacolli tha se me këtë koalicion do të shtyhen proceset përpara.

“Kemi shumë sfida për të tejkaluar dhe ato tejkalohen vetëm me mirëkuptim, me energji pozitive dhe me punë”, tha Pacolli.

Ndërsa, i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, tha se ky bashkim i mundëson Kosovës një nisje shumë të nevojshme.

“Përgjegjësitë i kemi organizu në bazë të specifikave, në bazë të vlerave që i sjellim në qeverisje. Është një periudhë para nesh jo e lehtë, por besoj se së bashku do t’ia dalim”, tha Haradinaj.

Ndryshe, Behgjet Pacolli e bëri publike sot largimin nga koalicioni LAA pas një dreke pune me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

http://kallxo.com/pacolli-rruget-tona-ldk-ne-ndahen-nga-ky-moment/

Më 24 gusht, lideri i AKR-së u dha ultimatum LDK-së dhe Vetëvendosjes që të arrijnë marrëveshje për qeverisje përndryshe tha se do të kërkojë zgjidhje për krizën politike jashtë koalicionit LAA.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, më 15 gusht, Pacolli akuzonte koalicionin PAN, të cilit iu bashkua sot, se po e shkelë Kushtetutën me bojkotimin e seancave për konstituimin e Kuvendit.