Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli - Foto: Facebook

Pacolli: Urat me VV-në Kanë Mbetur të Ngritura

Sipas Pacollit, për disa elemente, rezultati ishte surprizë. “Fitoi fryma e ndryshimit”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

“Votuesit e partive shqiptare kundër establishmentit që ka dominuar Kosovën tash dhjetë vjet, janë më shumë sesa gjysma e numrit tërësor të votuesve”, ka theksuar ai, duke i thurur lëvdatë Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, sipas tij, për shkak se ishte koherente, e palëkundur rezultoi partia numër një.

Sa i përket partisë së tij, Behgjet Pacolli tha se AKR nuk arriti rezultatin që meriton për shkak të vështirësive që ka pasur votuesi për t’u orientuar në koalicionet e krijuara, problemeve në një fushatë komplekse, etj.

Përkundër presioneve e shantazheve, AKR sipas Pacollit bëri zgjidhje autonome “larg atyre që nuk e duan Kosovën, që nuk dinë të qeverisin, nuk duan të qeverisin si duhet”.

Më tej, në këtë postim, Pacolli tregon se AKR si pjesë e frymës për ndryshim ka negociuar prej një kohe bukur të gjatë me Lëvizjen Vetëvendosja.

“Kemi arritur përputhje relativisht të madhe në programe. Nuk kemi parë ndarje postesh, por konvergjim programesh. Kemi patur divergjenca për rolin e shtetit në ekonomi, por dhe për raportin me perëndimin”, ka shkruar ai, duke treguar se ka punuar njëkohësisht për krijimin e një fronti të madh për ndryshimin, që të përfshinte dhe LDK-në.

“Nuk arritëm dot për shumë arsye, por urat kanë mbetur të ngritura”, ka theksuar Pacolli.

“AKR e rikonfirmon fuqishëm bindjen e vet se Kosovës i duhet ndryshimi i madh… AKR është përcaktuese në konfirmimin në pushtet të forcave të ndryshimit dhe do të kontribuojë në këtë ndryshim”, shton ai.

“Në çdo rast, në mënyrë konsensuale, çdo qeveri do duhet të iniciojë një reformë të gjerë kushtetuese që ndryshon sistemin zgjedhor, që fut zgjedhjen e presidentit nga populli dhe ndryshime të tjera. AKR është e gatshme që të luajë rolin që i lipset vendit”, ka përfunduar ai.

http://kallxo.com/ldk-akr-ia-mbyllin-deren-pdk-se/