Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli Reagon Pas Kërcënimit të Spanjës

Spanja po kërcënon se nëse Kosova merr pjesë në Samitin e BE-së në Sofje, atëherë përfaqësuesit e saj nuk do të jenë pjesëmarrës.

Kjo pasi shteti i Spanjës nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Madje veç kësaj u tha gjithashtu edhe që Spanja do të tentojë që të paktën ta ndalojë prezantimin e Kosovës me simbolet shtetërore.

Por përkundër të gjitha këtyre reagimeve, optimist po duket ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli.

Ai në një postim në “Facebook” ka shkruar se Kosova do të marrë pjesë në këtë samit sikur të gjitha shtetet e BE-së.

Tentativat për përjashtimin e simboleve shtetërore i ka quajtur mungesë të vizionit.

“Kosova sikurse të gjitha vendet e tjera të rajonit do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, në muajin Maj, ku pritet të mbështetet nga të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së perspektiva e qartë dhe konkrete e zgjerimit, për të gjitha vendet e rajonit, duke përfshire Kosovën”, ka shkruar shefi i diplomacisë kosovare.

“Çdo tentim për të minuar prezencën e Kosovës në samit apo përjashtuar simbolet tona shtetërore, paraqet mungesë të vizionit dhe qartësisë për rajonin.  Në kohen kur ndikimi rus është shtuar në rajon, është bërë mëse i nevojshëm unifikimi i BE-s karshi rajonit tonë. Çdo tendence tjetër për të mos pasur unifikim te politikes evropiane karshi Kosovës, e dobëson BE-në në rajon dhe minon perspektivën e evropianizimit te Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar Pacolli.

Sipas tij, Kosova do të marrë pjesë sikurse të gjitha shtetet tjera në samitin e Sofjes dhe nuk bëjmë kompromise këtu.

“Ua kam thënë homologëve të mi evropian disa herë se mos-njohja nga 5 vendet e BE-së, jo vetëm që po e ngadalëson ecjen e Kosovës drejt integrimit evropian, por po e ndanë BE-në në rajon dhe po e bënë akter të dobët karshi akterëve të tretë që po tentojnë të depërtojnë tek ne”, ka shkruar Pacolli.

Ky samit pritet të mbahet më 17 maj në Sofje të Bullgarisë./21Media