Behgjet Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli: Kosova si Shtetet Tjera në Samitin e Sofjes

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka reaguar pas shkrimeve në një gazetë britanike se Kosova në samitin e Sofjes në maj do të paraqitet pa simbole shtetërore për të siguruar pjesëmarrjen aty edhe të Spanjës.

Në Sofje gjatë majit takohen zyrtarë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

“Kosova sikurse të gjitha vendet e tjera të rajonit do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perendimor në Sofje, në muajin maj, ku pritet tê mbështetet nga të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së perspektiva e qartë dhe konkrete e zgjerimit”, shkroi Pacolli në facebook.

Ai më tutje ka shkruar që nuk do të bëhen kompromise në përfaqësimin e Kosovës.

Kosova do të marrë pjesë sikurse të giitha shtetet tjera në Samitin e Sofjes dhe nuk bëjmë kompromise këtu!”, ka shkruar Pacolli.

Pacolli më tutje konstatoi se në kohën e rritjes së ndikimit rus, mosunifikimi i vendeve të BE-së karshi Kosovës e dobëson europianizimin e shteteev të Ballkanit Perëndimor.

“Çdo tendencë tjetër për të mos pasur unifikim të politikës europiane karshi Kosovës, e dobëson BE-në në rajon dhe minon perspektivën e europianizimit të Ballkanit Perëndimor”, vijoi postimi i Pacollit.

Pacolli tregoi se u ka thënë kolegëve të tij europinë se “mosnjohja nga 5 vendet e BE-së, jo vetëm që po e ngadalëson ecjen e Kosovës drejt integrimit europian, por po e ndan BE-në në rajon dhe po e bën aktor të dobët karshi aktorëve të tretë që po tentojnë të depërtojnë te ne”.