Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli

Pacolli, Komisionit të Bulliqit: Lëni Selfie-t, Kryeni Punën!

Zëvendës Kryeministri Behgjet Pacolli, në raportimin para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme kërkoi nga Komisioni qeveritar për vlerësimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi që ta kryejë punën sa më shpejt në mënyrë që të ketë rezultat për punën e komisionit paraprak.

Në ditët e para në detyrë si kryeministër, Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar komisionin e drejtuar nga Murat Meha për ta emëruar profesorin e gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, për ta vlerësuar këtë marrëveshje.

Por Pacolli kërkon që ky komision të kryejë punën dhe të dalë me gjetjet e veta.

“Ky komision në vend se të bëjë selfie për publicitet, të del të mbledh dhe t’i sjellë faktet për vijën e re kufitare”, tha Pacolli i cili në të njëjtën kohë është edhe Ministër i Punëve të Jashtme.

“Ky komision duhet ta marrë punën shumë seriozisht dhe të vijë sa ma shpejt të na tregojë cila është situata. Le t’i lënë ato shprehjet e katedrave e ta kryejnë punën. Lus z. Bulliqi qe të punojnë e t’i sjellë faktet”, tha Pacolli.

Më herët, në mbledhjen e njëjtë, Pacolli kishte thënë që tema e demarkacionit për Malin e Zi është çështje e mbyllur.

http://kallxo.com/behgjet-pacolli-demarkacioni-ska-gjase-te-rinegociohet/