Pamje nga takimi mes ministrave të Jashtëm të Kosovës dhe Malit të Zi - Foto: MPJ

Pacolli: E Respektojmë Plotësisht Integritetin Territorial të Malit të ZI

Në takimin me homologun e tij malazez në Podgoricë, Srdjan Darmanoviç, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se autoritetet kosovare e respektojnë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Malit të Zi dhe se janë të bindur se edhe Mali i Zi ushqen të njëjtin respekt ndaj nesh.

“Asgjë nuk është e pamundur në marrëdhëniet midis dy fqinjëve, që e respektojnë dhe e vlerësojnë njeri tjetrin”, citohet të ketë thënë ministri Pacolli sipas një komunikate të MPJ-së.

Duke aluduar në çështjen e demarkacionit, ministri Pacolli ka thënë se jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e një problemi në marrëdhëniet mes dy vendeve, por se do të bëjnë çmos që ky problem të kapërcehet në frymën e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës tha se me ministrin e Jashtëm malazez kanë diskutuar edhe për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje të Partneritetit Strategjik midis dy vendeve dhe për organizimin e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive.

“Ne duam të shfrytëzojmë eksperiencën e Malit të Zi për integrimin euroatlantik. Ne duam të shtyjmë përpara zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, të rrisim vëllimin e shkëmbimeve tregtare. Ne jemi të gatshëm të shohim mundësitë e shtimit dhe ndërtimit të rrugëve të komunikimit midis dy vendeve”, ka theksuar ministri Pacolli sipas një komunikate të MPJ-së së Kosovës.

Ndryshe, Marrëveshja për Demarkacionin nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës për shkak të kundërshtimit të fortë të opozitës dhe qytetarëve të brezit kufitar, sipas të cilëve kjo Marrëveshje i jepte Malit të Zi territor të Kosovës.

Më 1 shtator 2016, Marrëveshja qe tërhequr nga miratimi në Kuvend në momentet e fundit nga kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa.