Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli në takim me homologun hungarez Peter Szijarto - Foto: Facebook

Pacolli: Duam Menjëherë Liberalizim të Vizave

Në një takim me homologun e tij hungarez, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova do liberalizim të menjëhershëm të vizave.

“Ne duam menjëherë liberalizimin e vizave, sepse ne nuk duam, që të rinjtë tanë, që njerëzit e biznesit, të ndihen të izoluar, të diskriminuar në nivel europian”, ishte kërkesa e ministrit Pacolli drejtuar homologut hungarez, Peter Szijarto, gjatë një takimi në Budapest.

Po ashtu, shefi i diplomacisë kosovare ka kërkuar që të lehtësohet procedura e dhënies së vizave.

“Miku im, Ministri Szijarto, e quajti shumë të drejtë këtë shqetësim dhe më tregoi edhe një rast të ndërhyrjes së tij personale për të shkurtuar afatet e takimeve për viza në Ambasadën hungareze në Prishtinë”, ka shkruar në profilin e tij zëvendëskryeministri Pacolli, duke shtuar se janë pajtuar me ministrin Szijarto për të ngritur në nivel të shkëlqyer edhe marrëdhëniet ekonomike sikur ato politike.

Në një takim që ka zhvilluar sot me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se aktualisht nuk sheh perspektivë për liberalizimin e vizave për Kosovën, prandaj kërkoi nga presidenti Meta që qytetarëve kosovarë t’u mundësohet marrja edhe e shtetësisë shqiptare në mënyrë që të mund të lëvizin lirshëm në Europë.