Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

Pacolli: Askush S’mund ta Pengojë Pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Sofjes

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se askush nuk mund ta vërë në dyshim dhe ta pengojë pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të Kosovës në Samitin mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Sofje.

Për këtë çështje, ministri i Jashtëm ka thënë se kjo tashmë është zyrtare edhe në agjendën e Këshillit Europian.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Behgjet Pacolli ka thënë se ky takim duhet të shikohet si mundësi për t’i dhënë energji të reja marrëdhënieve në mes BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky është postimi i plotë i Pacollit:

“Samiti i Sofjës…

Përderisa i afrohemi Samitit në mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perendimor, që do të mbahet në Sofie më 17 Maj, 2018 askush nuk mund ta vë në dyshim dhe pengojë pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të vendit tonë në këtë ngjarje. Ajo tashmë është zyrtare edhe në Agjendën e Këshillit Evropian. Ky takim duhet të shikohet si mundësi për t’i dhënë energji të reja marrëdhënieve në mes BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perendimor: nga forcimi i lidhjeve në infrastrukturë, atë digjitale, ndër-njerëzore e deri tek bashkëpunimi më i afërt në luftimin e sfidave të përbashkëta siç janë: siguria, migrimi, zhvillimet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Historia ka dëshmuar se nga bashkëpunimi dhe integrimi në Evropë është ruajtur paqa, është rritur siguria, janë zhvilluar ekonomitë dhe ngritur mirëqenia e qytetarëve. Ky model mbetet i pazëvëndesueshëm.”