Pa Votat e Opozitës Miratohet Buxheti i Pejës

Përkundër kritikave të opozitës, Asambleja komunale e Pejës ka miratuar me shumicë votash buxhetin final për vitet 2017-2019.

Shefi i grupit të asamblistëve të AAK-së, Blerim Nikçi, tha së ky buxhet nuk përmbush nevojat e qytetarëve të komunës.

Ai theksoi po ashtu se me këtë buxhet kryetari Gazmend Muhaxheri nuk do të arrijë t’i realizojë premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore.

“Kjo po vazhdon me mbetë qeverisje konsumuese, e konsumit, ku paratë shpenzohen për paga mëditje, dreka, darka, udhëtime dhe asnjëra nga këto nuk besoj që e përmirëson drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe kjo ka për të ndikuar që vetë qyteti jonë të zhvendoset nga zhvillimi ekonomik”, tha Nikçi.

Blerim Nikçi po ashtu tha se mospërfshirja në këtë buxhet e projektit për ndërtimin e qendrës së skijimit “Borea” është dëshmi që ky projekt nuk do realizohet.

Por, këtyre kritikave u është përgjigjur i pari i Pejës.

Gazmend Muhaxheri tha fillimisht se janë tejkaluar  shumica e premtimeve që i ka dhënë gjatë fushatës.

Sa i përket projektit “Borea”, kryetari i Pejës tha së nuk ka planifikuar mjete për atë projekt sepse ai do realizohet sivjet.

“Sa i përket projektit “Borea” për të cilin z. Blerim u brengos shumë që s’ka planifikim për vitin e ardhshëm asnjë cent, unë po i them së projekti “Borea” kryhet sivjet edhe nuk ka nevojë me pasë planifikim vitin e ardhshëm. Unë jam aq i sigurt sa që vitin e ardhshëm s’ka nevojë me planifiku”, tha Muhaxheri.

Muhaxheri tha së Komuna e Pejës nuk ka pasur asnjëherë planifikim më të mirë të buxhetit për dy vitet e ardhshme.

Ndërsa, asamblistët e opozitës thanë së hartimi i këtij buxheti është bërë me militantë partiakë e jo me qytetarë të komunës së Pejës.

Kritika për buxhetin pati edhe asamblisti i partnerit të koalicionit.

Asamblisti Besim Qelaj nga radhët e PDK-së tha së në planifikimin e buxhetit për dy vitet e ardhshme nuk figuron fare që do ndërtohet shkolla fillore në lagjen “7 Shtatori”.

Përkundër premtimeve ai tha së një gjë e tillë nuk është e mundur të realizohet në dy vitet e ardhshme.

“E tash shqetësimi im kryesor nuk ka shkollë fillore në lagjen “7 Shtatori”, s’ka kurgjo. Është premtuar nga fillimi (ndërtimi i shkollës), edhe para mediave është premtuar. Unë nuk tërhiqem derisa e shoh që këtu në buxhet”, tha ai.

Për planifikimin e buxhetit vërejtje patën edhe përfaqësuesit e komuniteteve në Asamble.