Pa Ujë që nga Janari Shkaku i një Pompe

Dhjetëra familje të lagjes “Tabje” të Pejës ka disa muaj që po përballen me mungesë të ujit të pijes.

Leotrim Krasniqi, që banon në rrugën “Shpetim Bojku”, thotë se që nga janari furnizohen me ujë vetëm nga një orë në ditë.

“Kemi probleme me ujë të pijes që nga data e 27 janarit, kur kjo pompa që po shihet është dëmtuar. Kohë pas kohe e aktivizojmë vetëm sa për një orë në mbrëmje, prej orës 7:00 deri në ora 8:00 e aktivizojmë veç sa për ujë të pijes”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se kanë dërguar edhe kërkesë në Kompaninë Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë që t’u bëhet një zgjidhje.

Në anën tjetër, Lulzim Pupovci, zyrtar i kësaj kompanie, tha për KALLXO.com se janë të njoftuar me problemin e banorëve të rrugës “Shpetim Bojku”.

Ai tha se pasi kanë dalë ekipet në vend të ngjarjes kanë konstatuar se duhet ndërruar pompa e ujit që shërben për rritjen e shtypjes.

Për këtë rast ai tha se kanë nisur procedurat e tenderimit për furnizim me këto pompa, të cilat pas vendosjes do të jenë nën menaxhimin e “Hidrodrini”-it.

“Për këto tri lokacione veç kemi hapur tender. Pritet derisa të plotësohen këto procedura dhe të bëhet përzgjedhja. Momentin kur ato (pompat) ne t’i kemi në depo, sigurisht që do shkojmë edhe t’i montojmë edhe besoj që do zgjidhet problemi”, tha Pupovci.

Për problem me furnizim me ujë në këtë lagje dhe vendosjen e pompës KALLXO.com kishte raportuar edhe në mars të vitit 2015.

http://kallxo.com/banoret-dhe-institucionet-perplasen-per-ujin-e-pijshem/

Po ashtu, KALLXO.com raportoi në janar të këtij viti për problemin e njëjtë që kishin edhe banorët e rrugës “Vëllezërit Topulli” të së njëjtes lagje.

http://kallxo.com/lagjja-e-pejes-qe-disa-jave-pa-uje/

Mungesa e ujit nuk është problemi i vetëm i familjeve të kësaj rruge.

Ata thonë se edhe rruga, për rregullimin e të cilës dhanë 60 për qind të mjeteve, është dëmtuar krejtësisht.

“Rruga është dëmtuar se kanë filluar qe tri vjet me punu lartë (sipër lagjes). Këtë rrugë na e kemi ndrequr me mjeta tona, po jemi ankuar gjithkah për me ndalur se ka 22 tonë shlepera  tu ngjitë e kanë shkatërruar krejt rrugën. Që tri vite është kështu rruga, me premtime: ka mu ndreq, ka mu ndreq. Kur po vjen dimri na s’po mundemi mu ngjit hiç ketë rrugë”, tha banori Shaqir Zabuni për KALLXO.com.

Zabuni thotë së si pasojë e dëmtimi të rrugës disa herë kanë pësuar dëme edhe në automjete e tyre. Banorët fajësojë organet komunale që kanë dhënë leje që të gravitohet me kamion me mbipesha të mëdha në ketë rrugë.

I kontaktuar nga KALLXO.com përmes telefonit, drejtori i Shërbimeve Publike, Muhamet Mahmutaj, tha se janë në dijeni për dëmtimin e rrugës “Shpetim Bojku”, e cila do të rregullohet dhe do kthehet në gjendjen e mëparshme.