Protesta e veteranëve në Pejë | Foto OVL-Pejë

OVL-UÇK Deklarohet për Çështjen e Flamurit ‘Te Rrethi’

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me anë të një njoftimi ka thënë se është kundër heqjes së flamurit kombëtar, por edhe atij shtetëror.

“Jemi kundër heqjes së flamurit kombëtar, por edhe kundër heqjes së atij shtetëror dhe me këtë rast kërkojmë nga institucionet dhe partitë politike që të mos i nëpërkëmbin asnjërin nga këta flamuj, e aq më tepër që ata të zhvendosen natën”, thuhet në njoftimin e OVL- UÇK.

OVL- UÇK ka thënë edhe se ngjarjet që janë duke ndodhur në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë “duke i vendosur përballë flamurin kombëtar dhe flamurin shtetëror, kanë pasoja negative për shoqërinë tonë”.

Sipas njoftimit, Pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të shumë gjeneratave, ndërsa flamuri kombëtar është pjesë e historisë.

“Pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të shumë gjeneratave e që u kurorëzua me luftën çlirimtare, luftë në të cilën morën pjesë shqiptarët nga të gjitha trojet e tyre. Ndërsa, flamuri kombëtar është pjesë e historisë dhe përpjekjeve tona, e që ishte edhe në ballë të luftës sonë çlirimtare dhe element i aktit të betimit të UÇK-së”, thuhet në njoftimin e OVL- UÇK.

Sipas OVL- UÇK, Pavarësia e Kosovës duhet të jetë dita që i bashkon dhe jo ditë që i përçan shqiptarët.

Dje flamuri kuqezi u hoq te rrethi afër spitaleve në Prishtinë, ndërsa aty u vendos flamuri i Kosovës.

KALLXO.com shkroi për zhvillimet e djeshme.

 

 

14 Shkurt 2018 - 13:04

Adelina Ahmeti 14/02/2018 - 13:04
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend