Pamje nga shfaqja "Bordel Balkan" | Foto: Jeton Neziraj

OVL Kërcënon Autorin e Shfaqjes ‘Bordel Balkan’

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kërcënoi autorin e shfaqjes “Bordel Balkan”, Jeton Nezirajn duke kërkuar ndalimin e kësaj shfaqjeje, e cila sipas tyre, fyen luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jeton Neziraj tha për KALLXO.com se disa persona nga kjo organizatë në Teatrin Kombëtar e kërcënuan me jetë.

“Një grup i tyre prej 7 a 8 sosh nga kjo shoqatë ishin sot në Teatrin Kombëtar dhe nën kërcënime e fyerje e bënë të qartë që nesër do ta pengojnë mbajtjen e premierës. Ata, ndër të tjera, më kërcënuan edhe me jetë”, tha Neziraj për KALLXO.com.

Shfaqja “Bordel Balkan” nga autori Jeton Neziraj dhe me regji nga Andras Urban, pritet të jepet premierë nesër në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Mirëpo, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një reagim të lëshuar për shtyp, thotë se do të pengojë realizimin e një shfaqjeje të tillë.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, reagon ndaj shfaqjes ‘Bordel Balkan të autorit Jeton Neziraj, e me regjisor nga Serbia, e cila nesër më 28 prill 2017 në ora 20:00, është  paralajmëruar që të shfaqet në Teatrin Kombëtar në Prishtinë”, thuhet në reagim.

OVL-ja konsideron që shfaqja është denigruese për luftën e UÇK-së.

“Ky reagim vjen si rezultat i informacioneve që kemi ne, se shfaqja është denigruese për Luftën e UÇK-së dhe bastardohen vlerat tona kombëtare, por edhe si rezultat që kishim sot një takim me autorin e të ashtuquajturës shfaqje, i cili edhe pas kërkesës sonë, nuk na tregoi skenarin”, vijon reagimi nga OVL-ja.

Por Jeton Neziraj bëri thirrje që njerëzit të vijnë ta shohin shfaqjen për t’u bërë mburojë e lirisë së shprehjes.

“Dëshiroj ta ftoj publikun nesër në premierë që ta përcjelli shfaqjen dhe t’i bëhet mburojë shfaqjes – dhe kjo do të duhej të ishte betejë e të gjithë neve, dhe e atyre që dëshirojnë që në këtë vend, liria krijuese, liria e shprehjes të jenë mbi kërcënimet dhe mbi shantazhet e thirrjet për vrasje”, tha Neziraj për KALLXO.com.

Zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës Florie Ahmeti tregoi se rasti është raportuar në polici.

“Aktualisht në zyrat e policisë kanë ardhur viktimat dhe janë duke e raportuar rastin. Duhet të presim intervistimin dhe rekomandimin nga prokurori”, tha Ahmeti.

Ndërsa Organizata e Veteranëve të Luftës në reagimin e saj bëri thirrje që publikut që të mos shkojë për ta shikuar shfaqjen.

“Me keqardhje për publikun, ju bëjmë thirrje që të mos merrni pjesë në këtë shfaqje përqeshëse për vlerat tona kombëtare, sepse ne nesër si veteranë të luftës së UÇK-së do ta pengojmë për t’u shfaqur”, thuhet më tej në reagim.

Jeton Nezirajt i duket absurd reagimi i OVL-së pasi “Bordel Balkan” ende nuk është shfaqur.

“Nuk e kam shumë të qartë përse OVL apo ndonjë grup tjetër njerëzit ndihen të fyer, sepse, shfaqja akoma nuk është dhënë para publikut. Pra, duket paradoksale që ky reagim vjen për një shfaqje teatri e cila akoma s’është shfaqur, akoma s’ka ardhur në jetë”, sqaroi Neziraj.

Ai i konsideron të manipuluar reaguesit.

“Ky reagim i parakohshëm lë të nënkuptohet se ata janë të manipuluar nga dikush që dëshiron që me këtë shfaqje të prodhojë një skandal të përmasave të pariparueshme dhe synon ta kthejë këtë vend në terrinë, ku, ndër të tjera, edhe standardet dhe vlerat estetike teatrore kontrollohen e caktohen nga joprofesionistët”, tha Neziraj.