RTK - Foto: Atdhe Mulla

Osmani: Në RTK Duhet të Hetohet Konflikti i Interesit

Me 5 vota “për” dhe 4 “kundër”, Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka miratuar  rekomandimin që e obligon Thesarin e Kosovës që t’i ndajë RTK-së 1.7 milion euro për periudhën shtator – 30 nëntor, ndërsa pjesa tjetër prej 1.4 milion eurosh do të ndahet pas rishikimit të Buxhetit.

Bordi i RTK-së ka paraqitur sot para deputetëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa pasqyrën financiare të periudhës janar-shtator 2017.

Deputetët nuk kanë pasur fjalë të mira për raportin financiar që bordi i RTK-së ua dorëzoi atyre.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se raporti është i mangët.

“Ky është një raport i mangët. Në raportin e ardhshëm duhet ta ndërroni këtë raport. Nuk dua që anëtarët e Komisionit të mos kenë informacione të plota mbi RTK-në”, tha në mes tjerash deputeti Abdixhiku, duke shtuar se herën tjetër duhet të sjellin raport më të detajuar.

Fjalë jo të mira për hartimin e raportit pati edhe deputeti tjetër i LDK-së, Naser Osmani, që mandatin e kaluar e ka udhëhequr këtë Komision, si dhe deputetët e Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj e Mytaher Haskuka.

Deputeti Molliqaj u interesua se pse nuk është i pranishëm drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala.

“Drejtori menaxhues i RTK-së duhet me qenë i pranishëm sepse kështu ishte paralajmëruar. Unë kërkoj që t’i dërgohet një vërejtje për këtë çështje”, tha Molliqaj.

Mirëpo bordi u arsyetua se ai është në një vizitë zyrtare, ndërsa në vend të tij kishte ardhur zëvendësdrejtori i RTK-së, Safet Zejnullahu.

Molliqaj vazhdoi me kritika të tjera për RTK-në, duke thënë se me një numër aq të madh të punëtorëve, RTK prapë marrin shërbime të jashtme.

“760 punëtorë i ka RTK edhe thuja se krejt produktet RTK i blen. 700 e kusur veta edhe s’munden me bo emisione, s’po munden me dhënë shërbime për institucionin. Kjo është mënyra e vetme me vjedhë prej buxhetit të RTK-së. Nuk ka logjikë me i pasë gjithë këta punëtorë, gjithë këto pare e me ble shërbime. Realisht jeni tu vjedhë me letra, po na vjedhni. Na kemi qendra të mjekësisë familjare që s’kanë ujë me pi, e ju vjedhni me letra”, tha në mes tjerash deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Mirëpo, sipas deputetit të LDK-së, RTK nuk i ka 760 punëtorë, por mbi 1.000, pasi që aty janë rreth 400 punëtorë që punojnë me kontratë mbi vepër.

“Këta nuk i kanë 766 punëtorë, po i kanë 1 mijë e kusur, se i kanë mbi 400 punëtorë me kontratë mbi vepër, që sa vite është kështu. Por nëse e arrijmë me disiplinu RTK-në, kemi me bo arritjen ma të madhe, por dyshoj që do ta arrijmë”, tha mes tjerash Osmani.

Sipas tij, në RTK duhet të hetohet edhe konflikti i interesit.

“Duhet me këqyrë në RTK sepse aty ka konflikt interesi. Aty marrin projekte edhe ata që punojnë në RTK”, tha Osmani.

Sipas raportit të prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, RTK për periudhën janar-shtator kishte planifikuar për paga 4,695,750 euro dhe ishin shpenzuar 99.76 % e këtij planifikimi në paga.

Për mëditje kishte planifikuar 882,275 euro dhe ishin shpenzuar 93.60% e këtij planifikimi.

Për mallra dhe shërbime, ku pati më së shumti kritika nga deputetët, RTK e kishte tejkaluar planifikimin duke shpenzuar 125.63 %.

RTK kishte planifikuar të shpenzojë 2,468,881 euro, por kishte shpenzuar 3,101,585 euro të buxhetit të saj, apo e kishte tejkaluar për 632 mijë e 704 euro.

Ndërsa sa i përket shërbimeve publike, RTK kishte shpenzuar 81.58% të buxhetit të planifikuar apo 198 mijë e 851 euro.

Ndërsa sa i përket investimeve kapitale, RTK kishte shpenzuar vetëm 54.36% të buxhetit. Janë shpenzuar 636 mijë e 42 euro nga 1 milion e 170 mijë sa i kishte planifikuar për ti shpenzuar.