Gjykimi i deputetëve | Foto: KALLXo.com

Osmani: Merrem me Sport- Lotsjellësi nuk më Shkaktoi Probleme

Naser Osmani që po dëshmon në gjykimin e katër deputetëve të Vetëvendosjes, tha se lotsjellësi në Kuvend nuk i shkaktoi probleme me shëndet.

“Unë merrem me sport, për shëndetin tim jo” u përgjigj Osmani.

tha se nuk i kujtohen me data seancat, kur u pyet se a ka qenë prezent në seancën e 8 tetorit 2015.

Por Osmani deklaroi se ishte i pranishëm në të gjitha seancat e Kuvendit.

“Kam qenë prezent në të gjitha seancat, datat nuk më kujtohen, por me siguri u referoheni sigurisht seancave të kuvendit në të cilat ka pasë ndërprerje të seancave për shkak të rrëmujës që ka krijuar opozita”, tha Osmani.

Seanca e parë që Osmani tha se i kujtohet të ketë pasur pengesa ka qenë kur ish-Kryeministri Isa Mustafa ishte gjuajtur me vezë në Kuvend.

“Ndërsa seancat e tjera të radhës janë ndërprerë për shkak të rrëmujës të krijuar me hedhjen e gazit lotsjellës”, tha Osmani.

Ai deklaroi se janë incizimet se kush e ka hedhur gazin lotsjellës në seancat e Kuvendit, ndërsa vetë tha se nuk ka mundur ta identifikojë kush nga opozita i kreu këto veprime.

Prokurori e ballafaqoi Osmanin me deklaratën e dhënë në polici më 12 tetor 2015 në të cilën kishte thënë se ka parë Albin Kurtin ta aktivizonte lotsjellësin.

“Kam parë deputetin Albin Kurti i cili në dorë kishe një mjet dhe ai është përkulur së bashku me atë mjet dhe e ka aktivizuar atë mjet ku nga ato momente ka filluar të dalë tymi i bardhë”, kishte deklaruar, sipas prokurorit, atëherë Osmani.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra se a ka ndonjë arsye pse ka ndryshuar deklaratat, Osmani tha se respekton të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

“Unë jam deputeti më i vjetër në legjislacionin e tashëm në Parlamentin e Kosovës dhe kultura ime është të respektoj çdo deputet pavarësisht në situatën që gjendet ai”, tha Osmani.

Vetëm pas ndryshimit të deklaratave, Osmanit iu lexua betimi i dëshmitarit.

Sot ishte paraparë të dëshmonin edhe Kadri Veseli, Armend Zemaj e Bekim Haxhiu, por Veseli e Zemaj nuk u paraqitën në gjykatë.