Vjosa Osmani (LDK) në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla

Osmani: Lista Serbe Është 'Krijesë' e PDK-së

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani iu kundërpërgjigj akuzave se ishte LDK-ja ajo që ndaloi themelimin e Ushtrisë.

Sipas Osmanit, LDK-ja është më seriozja sa i përket çështjes së themelimit të Ushtrisë.

“Po përgjigjem në ato që i tha Hoxhaj në lidhje me rolin e LDK në vitin 2013 sa i përket krijimit të Ushtrisë. Po përgjigjem se kam qenë vetë në ato takime. Në asnjë moment nuk ka pasur garancë nga askush dhe në veçanti nga pakica serbe sepse ju flisnit në emër të tyre, nuk i linit ata të flisnin, se në qoftë se vazhdohen vendet e rezervuara ata do të votonin Ushtrinë. Ky ka qenë një kurth i ndytë që keni dashtë me na fut neve, që të votohen edhe shumë më shumë vende për pakica se që kanë tani. A e dini cili ka qenë rezultati i mundshëm me atë dalje të serbëve në atë kohë, sot do t’i kishim ata grupin më të madh parlamentar. Se tash ju 23 i keni PDK mendojshi që gjithmonë do t’i keni 40. Ne si LDK mburremi, po e përsëris e kemi thënë se s’pranojmë një kurth e skenar të tillë. Asnjëherë pakica serbe s’ka thënë që do ta votojë Ushtrinë as atëherë as tash . A e din se me çfarë shumicë ndryshohet Kushtetuta, me 2/3 shumica e dyfishtë”, tha Osmani.

“Gënjeshtrat nuk munden me çu asnjë proces përpara. Deri tash veç LDK është dëshmuar se e ka seriozitet themelimin e Ushtrisë”, shtoi ajo.

Sipas Osmanit, Qeveria nuk kërkon që të ketë konsensus të sinqertë për temat që propozohen, por siç theksoi ajo, mënyra e Qeverisë është që konsensusin ta kërkojnë përmes shantazhit, fyerjeve e ofendimeve.

Ajo shtoi se Lista Serbë është ‘krijesë’ e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Lista Serbe është krijesë e juaja. Lista Serbe është krijesë e marrëveshjes së nënshkruar më 2013 nga Hashim Thaçi. Ju jeni në gjendje të rrezikoni miqësi të cilat i kemi esenciale, jeni në gjendje të rrezikoni ato miqësi vetëm me shpëtu lëkurën tuaj, deri këtu keni arritë. Na shisni moral, kulturë politike, kujt? LDK-së? Cila kulturë që opozita e tregoi në kohën kur LDK ishte në Qeveri, ishte kulturë e filikaqave, gazit lotsjellës e sot kryeministri vjen ankohet sa duhet. Dikujt që i thotë mos rreni, që nuk e respekton Kuvendin nuk rrinë këtu sepse i duket humbje kohe”, tha ajo.