Kryetari i Odës së Avokatëve Osman Havolli

Osman Havolli në Krye të Odës së Avokatëve

Lajmi i zgjedhjes kryetar të Osman Havollit është bërë i ditur në faqen zyrtare të Odës së Avokatëve.

Sipas kësaj faqeje Kuvendi Zgjedhor i Odës ka zhvilluar punimet sot, ndërsa kishte për detyrë zgjedhjen e kryetarit, zëvendëskryetarit dhe organeve tjera të odës.

“Në procesin e hapur të votimit në të cilin kanë votuar  77 delegatë sa kanë qenë pjesëmarrës në këtë Kuvend, nga 85 delegatë sa i ka gjithsej Kuvendi i Odës së Avokatëve të Kosovës, me 74 vota pro dhe 3 kundër është zgjedhur pa kundërkandidat kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Osman Havolli,” thuhet në lajmin e vebfaqes së odës.

Pas zgjedhjes, kryetari i ri i odës Osman Havolli tha se do të bëjë përpjekje maksimale që zërin e avokatëve ta ngre në nivele më të larta, në mënyrë që avokatët ta kenë vendin e tyre të merituar në sistemin kosovar të drejtësisë.

Për zëvendëskryetar të Odës së Avokatëve konkurruan Bahrie Besimi dhe Isamedin Dedinca. Në këtë post u zgjodh Isamedin Dedinca me 40 vota, ndërsa Bahrie Besimi mori 6 vota më pak.

Sot u zgjodh edhe anëtari nga jashtë i Këshillit Drejtues, anëtarët e Komisionit Disiplinor dhe atij të Ankesave si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Odës së Avokatëve.