Selim Pacolli nga e majta dhe Rrahim Hashimi nga e djathta / Foto: Facebook

Ortaku i Pacollit Arrestohet për Marrje Ryshfeti

KALLXO.com zbulon se Rrahim Hashimi ka aksione në tri kompani  “City Group”, “Ilyrian Power”, dhe “Feniks Energy”. Në dy prej këtyre kompanive aksione ka edhe Selim Pacolli, vëllai i ish presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli.

Për Hashimin disa ditë më parë gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e arrestit prej 30 ditësh.

Sipas pretendimeve të prokurorisë, i pandehuri ka kërkuar nga të dëmtuarit V.H dhe F.B kundër të cilëve kishte filluar një procedurë penale, një shumë parash prej 100 mijë euro me qëllim që të njëjtëve t’u minimizohet rasti apo të përmbyllet.

Gjithnjë sipas pretendimeve të prokurorisë të paraqitura në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit, i pandehuri nga familjarët e të dëmtuarve fillimisht ka marrë 50 mijë euro. Sipas prokurorisë, falë këtij ryshfeti të dëmtuarit kanë përfituar masa më të lehta të sigurisë. Tutje prokuroria pretendon se për të vazhduar tutje me ndihmën rreth procedurës, të dëmtuarve u kërkuan edhe 50 mijë euro të tjera.

“Ndërkaq për të vazhduar me tutje me ndihmën rreth procedurës i kanë kërkuar edhe 50 mijë euro të tjera, e pas kësaj të dëmtuarit duke vërejtur dyshime në lëvizjen e të pandehurve shumicën e kontakteve i incizojnë dhe rastin e paraqesin në polici”, thuhet në aktvendimin për caktimin e paraburgimit për Rrahim Hashimin.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e Rrahim Hashimit, Nikë Shala. Shala e kundërshtoi caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.

“Pretendimi i prokurorisë nuk është i bazuar, sepse klienti im është bashkëpronar në disa kompani, por ai nuk e gëzon cilësinë e personit zyrtar dhe veprën për të cilën ai dyshohet mund ta kryejnë vetëm personat zyrtar. I mbrojturi im në marrjen e tij në pyetje, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, ka paraqitur prova argumentuese bindëse se nuk ka të bëjë asgjë me veprën për të cilën dyshohet”, tha Shala.

Ai tha se ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit për të kundërshtuar aktvendimin për caktimin e paraburgimit.

KALLXO.com ka hulumtuar emrat e kompanive që janë të apostrofuara në aktvendimin e Gjykatës për caktim të masës së paraburgimit.

Rrahim Hashimi është një nga pronarët e kompanisë “City Group”. Aksione në këtë kompani ka edhe Selim Pacolli, vëlla i ish-presidentit të Kosovës, kryetar i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Pacolli dhe Hashimi janë bashkëpronar edhe të kompanisë “Illyrian Power”, e cila përveç tjerash merret edhe me tregtimin e naftës.

KALLXO.com ka kontaktuar me Selim Pacollin i cili e pranoi se është bashkëpronar me Hashimin.

“Nuk jam ortak me të, unë jam aksionar në këto firma, sepse kemi bërë njëfarë ndërrimi të aksioneve”, tha Pacolli.

Por, ai thotë se nuk është në dijeni për arsyen e arrestimit të Hashimit dhe se kjo nuk ka të bëjë me çështje të biznesit.

“Është e vërtetë që ai është arrestuar por nuk e di se për çfarë është arrestuar. Nuk besoj se arrestimi i tij ka ndodhur për çështje të biznesit. Ai është i vetëdijshëm dhe i moshës madhore dhe besoj se duhet me ditë se çfarë bën, si dhe secili që i shkelë normat ligjore duhet të ballafaqohet me to”, tha Selim Pacolli.