Publikimi i raportit të ORCA-s | Foto: KALLXO.com

ORCA Identifikon “Dembelët e ‘Hasan Prishtinës’”

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, të mërkurën ka publikuar raportin “ Dembelët e ‘Hasan Prishtinës’”, pas monitorimit të tri fakulteteve më të mëdha të Universitetit të Prishtinës.

Sipas këtij raporti, nga 86 profesorë të monitoruar që punojnë në  Fakultetin Juridik, Ekonomik dhe Filozofik, 34 prej tyre kanë munguar në 100 për qind të termineve të caktuara për konsultime.

Sipas ORCA-s në mesin e atyre që nuk kanë mbajtur fare konsultime me studentë janë edhe dekani i Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, Dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj dhe Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli.

Po ashtu, ka identifikuar edhe zyrtarë të lartë politikë të cilët nuk u janë përgjigjur studentëve për konsultime.

Në mesin e tyre janë kandidati për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti,  ish ministrja nga LDK-ja, Hykmete Bajrami, ish ministri nga PDK-ja, Besim Beqaj, ish ministrja e PDK-së, Justina Pula- Shiroka.

ORCA bëri me dije se edhe ish-rektorë të UP-së nuk i kanë mbajtur konsultimet me rregull. Është ish- rektori Enver Hasani i cili u është përgjigjur 67 për qind këtyre konsultimeve dhe ish rektorin Anton Berishaj 83 për qind.

Aurela Kadriu nga ORCA, e cila ka qenë përgjegjëse për monitorimin e Fakultetit Filozofik tha se një numër i konsiderueshëm i profesorëve të këtyre fakulteteve kanë angazhime të tjera publike.

Sipas saj, gati gjysma e profesorëve të këtij fakulteti nuk mbajnë konsultime fare.

“ Nga 31 profesorë që janë monitoruar,  18 profesorë kanë munguar 100 për qind në konsultime”, tha Kadriu.

Edhe kolegu i saj nga ORCA, Dibran Hoxha, përgjegjës për monitorimin e Fakultetit Ekonomik dha kritika për mungesën  e profesorëve në konsultime.

“ Një parregullsi tjetër që ne e kemi vërejtur në Fakultetin Ekonomik është se ka profesorë që kanë të njëjtën zyrë që mbajnë konsultime. Problemi është se ata profesorë kanë paraparë konsultime në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë”, tha Hoxha, duke treguar se nga 40 profesorë të monitoruar në ekonomik, 10 prej tyre nuk kanë mbajtur fare konsultime.

Edhe në Fakultetin Juridik, ka profesorë të cilët nuk kanë mbajtur fare konsultime me studentë. Nga 15 profesorë të monitoruar, 6 prej tyre nuk kanë mbajtur fare konsultime.

Monitorimi i profesorëve nga organizata ORCA, ka nisur me 3 prill dhe ka përfunduar më 21 prill 2017.

Në bazë të të gjeturave të monitorimit, kjo organizatë ka dhënë disa rekomandime.

ORCA i ka rekomanduar  Këshillit Drejtues të UP-së t’i urdhërojë këshillat e njësive akademike që t’i përpilojnë rregulloret e brendshme të të gjitha fakulteteve, të mos grumbullohen oraret e caktuara për konsultime, të respektohen oraret e konsultimeve ose në të kundërtën të merren masa.

Në rekomandimin tjetër të ORCA-s sugjerohet të respektohet vendimi i Këshillit Drejtues që i obligon profesorët të jenë në hapësirat e UP-në nga ora 8:00- 16:00 si dhe të pamundësohet punësimi i stafit të rregullt të UP-së në institucione tjera private e publike dhe kjo të jetë pjesë e ndryshimeve të ardhshme të Statutit të UP-së.

Në shkurt ORCA njoftoi se katër profesorë të UP-së janë avancuar kundërligjshëm.

http://kallxo.com/orca-avancoi-4-profesore-pa-permbushur-kriteret/

Edhe Gazeta Jeta në Kosovë vazhdimisht ka shkruar për avancime të dyshimta të profesorëve në UP dhe konkurse që janë shoqëruar me shkelje.

Profesori i Mjekësisë, Dyshime për Avancim me Plagjiaturë e Falsifikim

Shkeljet e Shumta në Konkursin për Profesor Asistent në FShMN

Fuqia e Enver Hasanit dhe Tre Ministrave