Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

ORCA: UP Avancoi 4 Profesorë pa i Përmbushur Kriteret

Senati ka aprovuar avancimin akademik të katër kandidatëve- Vahid Avdiut, Ylber Limanit, Ramadan Mazrekajt dhe Bedri Dragushës pa i përmbushur kriteret, njoftoi Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në një konferencë për medie.

Avancimi i tyre u bë më 31 janar, ndërsa sipas ORCA-s për avancime konkurruan 15 kandidatë që nuk i plotësonin kriteret e përcaktuara.

Në dokumentin e Statutit të UP-së thuhet se për thirrjen profesor- asistent duhet një punim në revista shkencore ndërkombëtare, për thirrjen profesor të asocuar duhen 3 punime dhe për thirrjen profesor të rregullt 5 punime, mirëpo ORCA tregoi se kandidatëve u janë vlerësuar si punime shkencore -prezantimet në konferenca ndërkombëtare.

Në konferencën për gazetarë u tha se Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka hulumtuar të gjitha punimet në revista shkencore ndërkombëtare të pretenduara nga komisionet që vlerësuan ngritjen akademike dhe ka verifikuar se janë bërë rekomandime të kandidatëve në shpërputhje me Statutin e UP-së, Ligjin për Arsimin e Lartë, rregulloren dhe rekomandimin aktual.

ORCA i ka bërë thirrje Inspektoratit të Arsimit të Republikës së Kosovës që të anulojë avancimet akademike të aprovuara nga Senati i Universitetit të Prishtinës më 31 janar, ndërsa dosja me shkeljet gjatë këtij avancimi, përveç inspektoratit, do t’i dërgohet edhe rektorit Marjan Dema.

Sipas përfaqësuesve të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, rektorit Dema do t’i kërkohet që të mos nënshkruajë kontratat me katër të avancuarit.

KALLXO.com kontaktoi me zyrtarë të Universitetit të Prishtinës për t’i pyetur rreth gjetjeve të ORCA-s, por nuk mori përgjigje nga ta.

Në mars të vitit të kaluar Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për avancimin e profesorit Fevzi Berisha me punim të papublikuar.

Avancimi i Profesorit me Punim të Papublikuar

Në vitin 2014 Gazeta Jeta në Kosovë shkroi për gradimin e dyshimtë të pesë rektorëve të UP-së.

Gradimi i Dyshimtë në Profesorë i Pesë Dekanëve të UP-së

Në vitin 2013, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, u detyrua të jepte dorëheqje pas protestave të studentëve dhe qytetarëve të Kosovës të cilat pasuan kur u zbulua se ai ishte një nga pesë autorët e një punimi që doli të ishte publikuar në një revistë të rrejshme shkencore.

Gashi Dorëhiqet nga Posti i Rektorit

Redaktoi: Bekim Muhaxheri