Ndërtesa e Rektoratit të UP-së | Foto: KALLXO.com

ORCA: Avancimet në UP, Procesi më Meritor Deri më Sot

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA ka lansuar sot analizën e procesit të zgjedhjes së stafit akademik nga konkursi i cili është mbajtur në gjysmën e parë të vitit 2017.

ORCA konstaton se ky është procesi më meritor i avancimeve akademike dhe zgjedhjes së stafit akademik i mbajtur ndonjëherë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas kësaj organizate, ky rezultat ka ardhur si rrjedhojë e angazhimit të shumë akterëve, të prirë nga presioni publik i ORCA-s.

“Po ashtu ky rezultat është bërë i mundshëm nga qasja konstruktive e menaxhmentit, Senatit dhe disa dekanëve si ai i Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të cilët i kanë tërhequr kandidaturat jomeritore duke mos e sfiduar procesin në tërësi”, thekson organizata.

Megjithatë, ORCA pret që institucionet përkatëse ta rrisin vigjilencën në këtë çështje pasi ka ende shumë pretendime nga grupe të ndryshme profesorësh lidhur me avancimet dhe zgjedhjen e stafit akademik.

Nga konkursi për zgjedhjet në grada akademike në Universitetin e Prishtinës numër 3/671, me datë 24.11.2016, 131 kandidatë janë vlerësuar pozitivisht nga komisionet vlerësuese të përbëra nga profesorë kolegë të kandidatëve.

Sipas analizës, nga 131 kandidatët, ORCA ka vlerësuar që 74 prej tyre nuk i përmbushin kriteret minimale të kërkuara nga Statuti i Universitetit të Prishtinës për punime në revista shkencore, dhe 57 janë vlerësuar pozitivisht duke arritur përmbushjen e kriterit minimal prej një, tre ose pesë punimesh respektivisht për secilin titull akademik.

Ndërsa, nga 74 kandidatë të cilësuar si të papërshtatshëm për zgjedhje në titullin përkatës nga ORCA dhe të raportuar në Senat, 70 prej tyre nuk janë zgjedhur.

“Nga 57 kandidatë të cilët ORCA i ka vlerësuar pozitivisht, Senati po ashtu i ka vlerësuar pozitivisht duke i avancuar apo rizgjedhur sipas rekomandimeve nga komisionet 48 prej tyre. 9 të tjerë nuk janë shqyrtuar brenda afatit ligjor të konkursit”, thuhet në njoftimin e organizatës ORCA.