Opozitarët pas dorëzimit të nënshkrimeve të mocionit | Foto: KALLXO.com

Opozita Shpreson Rrëzimin e Qeverisë

Partitë opozitare presin që mocioni i votëbesimit të qeverisë të ketë sukses, pasi dorëzuan sot në Kuvend nënshkrimet për të.

“Kemi bërë procedimin e nënshkrimeve për mocionin  që e kemi nisur dite më parë. Kemi mbi 42 nënshkrime dhe falënderojmë nënshkruesit, por shpresojmë që të tjerë të jenë prezentë në dalje në votim”, tha Valdete Bajrami nga Nisma.

Mocioni për votëbesimin e qeverisë ishte nisur pikërisht nga lideri i këtij subjekti Fatmir Limaj, ndërsa për të rënë qeveria duhet që pro mocionit të votojnë 61 deputetë.

Këtë e kërkoi kreu i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj.

“Ky hap i sotëm është hap demokratik që i shërben vendit për të mirë. Janë të përfshira të gjitha subjeket politike, shpresoj që kur të mbahet seanca te rrëzohet kjo qeveri”, tha Lekaj.

Ndërsa Aida Dërguti nga “Vetëvendosja” tha se fati i suksesit të mocionit ndodhet në duart e deputetëve.

“Në këtë situate kur kemi një qeveri të papërgjegjshme si republikë parlamentare, vendimi i takon Kuvendit”, tha Dërguti.

Mocionin e votëbesimit të qeverisë e nëshkruan edhe katër deputetë të PDK-së, partisë që është pjesë e koalicionit qeveritar- Nait Hasani, Shukri Buja, Rafet Rama dhe Raif Qela.

Këtij mocioni i kanë ndihmuar edhe deputetë nga radhët e minoriteteve si: Jelena Bontiq, Nenad Rashiq, Danush Ademi, Kujtim Paçaku, e Emilija Redzepi.