Opozita Pro Transformimit të FSK-së

Përfaqësues të partive opozitare kanë deklaruar sot që do ta përkrahin transformimin e FSK-së, ashtu siç është propozuar nga Presidenti Hashim Thaçi.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se partia e tij do ta presë projektligjin në Kuvend, ndërsa vota e saj do të jetë për ndryshimin e misionit të FSK-së.

“Qoftë për ndryshime kushtetuese, qoftë për ndryshime ligjore që i avancojnë kapacitetet ushtarake të Kosovës, ne i kemi mbështetur dhe vazhdojmë t’i mbështesim. Ne do t’i presim në Kuvend për ta deklaruar me votën për, por paraprakisht nuk mund të bëhemi edhe pjesë e agjendave elektorale të kujtdo që të jenë”, tha ai.

Selimi deklaroi se Presidenti Thaçi më tepër bisedoi me Kryeministrin serb Vuçiq për transformimin e FSK-së sesa me përfaqësues të institucioneve kosovare.

“Duket që bashkëveprimi edhe me institucionet tjera nuk ka qenë në nivelin e duhur, duke e pasur parasysh edhe mosprononcimin e Kryeministrit deri më tani dhe duke pasur parasysh edhe prononcimin e ministrit të FSK-së doli që më shumë, siç tha edhe vetë Thaçi, paska biseduar në telefon me Vuçiqin për këtë çështje, sesa me faktorët tjerë që do të duhet të bashkëvepronte për një gjë të tillë”, tha Selimi.

Edhe AAK-ja, që siç thotë deputeti i saj Rrustem Berisha e ka iniciuar vetë debatin për transformim dhe ideja ka qenë e tyre, do t’i mbështesë ndryshimin e mandatit dhe misionit të FSK-së.

“Ne si deputetë të aleancës do  ta përkrahim një iniciativë të tillë, sepse kjo është në përputhje të plotë edhe me iniciativën e qëndrimin që e kemi shfaqur ne shumë më herët, mbi bazën e çkafit është thirrë edhe debatit në parlament”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se edhe ndërkombëtarëve duhet t’u sqarohet pse po transformohet FSK-ja pa ndryshime kushtetuese.

“Të shfrytëzohet kjo hapësirë dhe të bisedohet dhe t’u sqarohet se nuk ka zgjidhje tjetër, nuk ka rrugë tjetër, përpos kjo formë tash për ndryshimin e misionit të FSK-së”, tha ai.

Ngjashëm mendon edhe deputeti i Nismës Zafir Berisha.

“Unë nuk e di se brenda këtyre tri javëve Presidenti a ka bo ndonjë përpjekje, por sido që të jetë, akrobacionet e tij të këtij niveli nuk janë shumë të hijshme karshi situatës shumë të rëndë të sigurisë në rajon. Mirëpo si Nismë natyrisht që kemi qenë dhe vazhdojmë të mbesim në atë që Kosova ka nevojë për ushtrinë dhe transformimi i FKS-së në forca të armatosura është me rëndësi jetike”, deklaroi ai.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, teksa ka përkrahur projektligjin për FSK-në ka thënë se transformimi nuk duhet bërë pa mbështetjen e SHBA-së dhe NATO-s.

http://kallxo.com/osmani-ska-transformim-funksional-pa-shba-ne-dhe-nato-n/

Zyra e Kryeministrit sot me anë të një komunikate e përkrahu nismën e Presidentit Thaçi, ndërsa dje kundër kësaj iniciative u deklaruan ambasada e SHBA-së dhe NATO-ja.

http://kallxo.com/nato-kundershton-idene-e-thacit-per-fsk-ne/