Opozita nuk do më Seancë, ‘Lista Serbe’ e Mbështet Gjykatën Speciale

Shtyrja e seancës parlamentare ku pritej që të miratoheshin amendamentet që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale ka ngjallur mjaft kritika nga deputetë të koalicionit qeveritar dhe opozita.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani tha se nga orientimet që ka dëgjuar pritet që javën e ardhshme të mbahet seanca e radhës.

Ajo tha se personalisht do të votojë në favor të amendamenteve kushtetuese dhe projektligjit për Gjykatën Speciale.

“Këto janë dy votime të ndara sepse amendamentet Kushtetuese kërkojnë një votim prej 2/3 kurse projektligji votohet në mënyrë të thjeshtë. Megjithatë me rregullore të kuvendit i lejohet grupeve shtyrjen për çfarëdo arsye. Besoj nga ajo që është dëgjuar deri më tani se do të jenë votat e LDK-së. Nuk mund të flas në praktika të tjera. Qind për qind e sigurt është vota ime”, ka thënë Osmani.

Ndërsa Donika Kadaj Bujupi, shefja e grupit Parlamentar të AAK-së, tha se amendamentet kushtetuese dhe projektligji për Gjykatën Special nuk do të duhej të ishin pjesë e kuvendit pasi që, sipas saj, ka ligje të tjera më me interes për vendin.

“Jemi shumë të kënaqur që është shty ndërsa konsiderojmë që kjo nuk duhet të shtyhet por nuk duhet të vijë fare (në Kuvend)”, tha Kadaj- Bujupi.

Ajo tha se deputetët e këtij subjekti politik do të votojnë kundër krijimit të Gjykatës Speciale.

Kundër krijimit të kësaj gjykate është shprehur edhe Fatmir Limaj kryetari i partisë NISMA për Kosovën. Ai publikisht u bëri thirrje deputetëve të mos bien “pre e shantazheve dhe kërcënimeve” për të votuar për krijimin e Gjykatës Speciale.

“Qytetarët e Kosovës nuk na kanë zgjedhur ta kufizojmë sovranitetin e shtetit tonë. Ata na kanë zgjedhur dhe ne jemi të obliguar ta mbrojmë sovranitetin e shtetit tonë”, tha Limaj”, tha Limaj.

Për Gjykatën Speciale ka folur edhe deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq i cili tha se krijimi i kësaj gjykatë është obligim ndërkombëtar për Kosovë.

Deputeti serb, Simiq paralajmëroi se Lista Serbe do të votojë pro themelimit të Gjykatës Speciale.

“Lista Serbe nuk është e njoftuar me draft ligjin për Gjykatën Speciale. Natyrisht që do të përkrahim draft ligjin për gjykatën e cila duhet të hetojë shumë raste të cilat nuk janë shpjeguar e që kanë ndodhur në periudhën prej 1998 e deri më 2000”, ka thënë Simiq.

Gjatë ditës, me 78 vota për, 2 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shtyrë seancën ku pritej të miratoheshin amendamentet kushtetuese që hapin rrugë për krijimin e Gjykatës Speciale.