Opozita në Maqedoni Afër Krijimit të Qeverisë së Re

Social Demokratët në Maqedoni kanë rritur gjasat e formimit të një qeverie të re pasi Bashkimi Demokratik për Integrim la të kuptohej se do të jepte vendimin përfundimtar të premten.

Pas një takimi të mërkurën në mbrëmje, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, konfirmoi se një nga pengesat kyçe në mbështetjen e partisë kryesore Social Demokrate për krijimin e qeverisë së re – një ligj i ri që do të zgjerojë përdorimin e shqipes – është tejkaluar.

NDËRLIDHUR

Partia tha se në përgjithësi ishte pranuar projektligji i gjuhës me social demokratët dhe se mbeteshin vetëm çështje të vogla për t’u zgjidhur përpara se të merrej vendimi.

BDI, që ka këmbëngulur në ligjin e ri, nuk dha asnjë detaj mbi atë që u ra dakord me SDSM.

Por partia tha se i kishte dhënë dritën e gjelbër liderit të saj, Ali Ahmetit të vendoste në çdo moment mbi dhënien apo jo të mbështetjes ndaj SDSM dhe liderit Zoran Zaev.

Burimet nga partia i thanë BIRN se një vendim përfundimtar pritet të arrihet të premten, kur partia ka lajmëruar mbajtjen e një tjetër takimi në kryesi.

“Na duhet të zgjidhim disa çështje përpara takimit, por nga ana tjetër, koha [për të marrë një vendim] është e shkurtër,” tha burimi në kushte anonimiteti.

Maqedonia nuk ka pasur një qeveri të re prej gati dy muajsh, që nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, të cilat përfunduan në rezultat të ngushtë mes ish-partisë në qeverisje VMRO DPMNE dhe opozitës SDSM.

SDSM fitoi 49 nga 120 vende të mundshme në parlament në zgjedhje ndaj ka nevojë për mbështetjen e të paktën 61 deputetëve për të krijuar një mazhorancë.

Dy parti më të vogla etnike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe partia BESA, që kontrollojnë së bashku tetë deputetë, e kanë dhënë tashmë fjalën për mbështetje.

Megjithatë, mbështetja e dhjetë deputetëve të BDI është thelbësore nëse SDSM do të krijojë mazhorancë.

BDI dhe parti të tjera shqiptare kërkojnë që shqipja të bëhet gjuhë zyrtare në të gjithë vendin.

Ajo është tashmë zyrtare vetëm në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të popullatës.

Kushtet e ligjit të ri mund ta zgjerojnë përdorimin e shqipes në qeveri, ku ministrat tani mund të flasin vetëm maqedonisht.

Pritet gjithashtu që e njëjta e drejtë të shtrihet edhe te kryetari i parlamentit. Pasi tani deputetët mund të flasin shqip vetëm në seancat parlamentare.

Vonesa e gjatë e krijimit të një qeverie të re ka ardhur kryesisht prej pavendosmërisë së BDI për të mbështetur një parti ose tjetrën.

Që prej vitit 2008, partia ka qenë në një koalicion me VMRO DPMNE dhe ka këmbëngulur se ka nevojë për më tepër kohë për të vendosur se cilën parti madhore do të mbështesë këtë herë.

23 Shkurt 2017 - 14:59

Sinisha Jakov Marushiq, BIRN 23/02/2017 - 14:59
NDËRVEPRIMI0

Opozita në Maqedoni Afër Krijimit të Qeverisë së Re

by Kallxo
NA NDIQNI