Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me shefen e BE-së për politkë të Jashtme, Federica Mogherini - Foto: REL/Official publication

Opozita në Dialogun me Serbinë: LDK Kundër, VV Ka Kushte

Opozita në Kosovë u përgjigjet negativisht thirrjeve të presidentit Hashim Thaçi dhe Qeverisë për të qenë pjesë aktive e dialogut me Serbinë.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, thonë se nuk do të pranonin të jenë pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës në procesin negociues që po zhvillohet në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Europian.

Ndërkaq kur vjen në pyetje çështja se a do të pranonin të udhëhiqnin delegacionin e Kosovës në bisedime, këto dy parti opozitare dallojnë në qëndrime.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se do ta refuzonte edhe nëse do t’i besohej roli prijës në këtë proces, kurse Lëvizja Vetëvendosje, me kushte të caktuara do të pranonte që lideri i saj, Albin Kurti të vihej në ballë të negociatave me Serbinë.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik, Avdullah Hoti tha për Radion Evropa e Lirë, se LDK-ja nuk bëhet pjesë e dialogut, ngase është parti opozitare dhe se si e tillë do të kërkojë llogari nga Qeveria për gjithë procesin.

Ai tha se LDK në vazhdimësi është duke kërkuar nga Qeveria që procesi të zhvillohet në bazë të një platforme të qartë dhe të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Nuk ka kuptim që opozita të udhëheqë me dialogun. Nuk ka kuptim sepse Kosova i ka institucionet. Nuk është viti 2005, 2006 i negociatave të Vjenës kur është dashur të krijohen mekanizma gjithëpërfshirës të spektrit politik në vend”, tha Hoti.

“Sot Kosova i ka institucionet e veta, e ka presidentin, qeverinë, parlamentin, i ka trupat mbikëqyrës dhe institucionet funksionale. Opozita e ka rolin e vet, pra ne do të mbikëqyrim ketë proces dhe do të kërkojmë raportim të rregullt në Kuvendin e Kosovës”, tha Hoti.

Nga ana tjetër, deputeti Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se një përgjegjësi e tillë do të merrej në rast se plotësohen disa kushte siç është ajo e krijimit të një konsensusi nacional për dialogun dhe formimin e një komisioni hetimor për procesin e deritanishëm.

“Nëse plotësohen këto parakushte, atëherë Vetëvendosja është e gatshme, pra që Albin Kurti t’i udhëheqë këto negociata ose këtë dialog. Dialog për dialog duhet të kemi brenda për brenda që i bie që ta dimë se për çka ne duhet të dialogojmë me Serbinë dhe për çka jo. Gjithë kësaj duhet t’i paraprijë edhe një dialog i brendshëm, do të thotë dialog me serbët e Kosovës në mënyrë që ne në raport me Serbinë të jemi sa më të fuqishëm”, tha Sveçla.

Sipas tij, nga i gjithë procesi i dialogut të deritanishëm, sovraniteti i Kosovës është denigruar, pasi që pala kosovare, vlerëson ai, nuk ka qenë e barabartë në tavolinën e bisedimeve.

“Nëse si shoqëri pas arritjes së këtij konsensusi nacional, siç e përmenda me herët vendosim të futemi në dialog me Serbinë ky dialog duhet të jetë patjetër dialog mes dy palëve të barabarta dhe për marrëdhënie të ndërsjella. Por, assesi nuk duhet një dialog i cili bën fjalë për ne dhe për çështjet tona të brendshme, e gjithmonë në kurriz e në dëm të interesave të këtij vendi”, tha Sveçla.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kumtuar tashmë se faza e ardhshme e dialogut me Serbinë në nivelin politik, do të udhëhiqet nga presidentët e të dyja shteteve. Por, ai ka ftuar që opozita dhe shoqëria civile, të jenë pjesë e një delegacioni unik të Kosovës që do ta përfaqësonte vendin në këtë fazë, sipas tij finale.

Deputeti, i LDK-së, Avdullah Hoti thotë se dialogu duhet të zhvillohet në nivel kryeministrash dhe kërkon që i gjithë procesi të jetë transparent për secilën temë dhe pikë që diskutohet në Bruksel. Ai shprehet kundër ngritjes së nivelit të bisedimeve Kosovë – Serbi, në nivel presidentësh.

“Presidenti Thaçi nuk e përfaqëson askënd. Është Qeveria e vendit që është zgjedhur me votat e Kuvendi të Kosovës. Organizimi kushtetues i Kosovës është republikë parlamentare që nënkupton se janë parlamenti dhe qeveria ato që marrin përgjegjësi për çfarëdo marrëveshje të arritur apo që zhvillojnë dialog dhe marrin përgjegjësi për marrëveshje”, tha Hoti.

Ai tha po ashtu se për dialogun me Serbinë, duhet një platformë e re.

“Ne po presim që koalicioni qeverisës të sjellë në parlament ketë platformë të re. Aty do të japim fjalën tonë dhe do të përfshihemi në mekanizmat mbikëqyrës të procesit të dialogut “, tha Hoti.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë kanë thënë se pas gjashtë vjetësh që nga fillimi i dialogut në Bruksel, përveç ngecjes në planin e zbatimit të marrëveshjeve, raportet në mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë përmirësuar, pavarësisht qëllimit të proklamuar të këtij procesi.

Deri më tani Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një varg marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, përfshirë edhe marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Europian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit europian. (REL)