Refugjatët në Maqedoni. Foto: BIRN

Opozita Maqedonase Kërkon Referendum për Emigrantët

Opozita maqedonase, VMRO DPMNE po kërkon mbajtjen e referendumeve vendore në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale në tetor, pasi ka hedhur dyshimet për një plan qeveritar për të lokalizuar mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme në qytete të ndryshme të Maqedonisë.

Manastiri, Shtipi, Radovish, Prilepi, Koçani, Negotina, Kavadari dhe Gjevgjelia janë vetëm disa prej 20 komunave të cilat kanë miratuar mbajtjen e referendumeve kundër planit të supozuar të cilin qeveria e re socialdemokrate thotë se nuk ekziston.

“Kërkojmë që Komisioni Zgjedhor, DIK, të lejojë mbajtjen e këtyre referendumeve më 15 tetor, sepse shumë qytetarë janë ngritur tashmë kundër planit të qeverisë për të pranuar refugjatë”, tha VMRO DPMNE në një deklaratë për shtyp.

Ndonëse nuk mund të mohohet e drejta për të mbajtur referendume të tilla vendore, këmbëngulja e partisë për mbajtjen e tyre më 15 tetor, ditën e zgjedhjeve lokale, shihet si problematike.

“Mbajtja e tyre në të njëjtën kohë krijon një problem, mendoj se është kundër rregullave zgjedhore sepse do të trazojë procedurën [e zgjedhjeve]”, tha profesori i drejtësisë Osman Kadriu.

“Një referendum mbahet me rregulla dhe procedura të ndryshme nga zgjedhjet. Do të ishte e papranueshme të bëheshin në të njëjtën ditë,” shtoi Kadriu.

Media pro-VMRO DPMNE ka aluduar për shumë vendbanime të planifikuara për emigrantët nga Lindja e Mesme në qytete të ndryshme të Maqedonisë.

Pas humbjes së pushtetit në maj, partia VMRO DPMNE në korrik e akuzoi qeverinë e re për miratimin e një projekt-strategjie të re për trajtimin e refugjatëve dhe emigrantëve, ku sipas saj ekzistonte dhe një plan për të marrë mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme në Maqedoni.

Qeveria e ka mohuar këtë duke e quajtur një gënjeshtër që synonte të ngatërronte rezultatin e zgjedhjeve vendore dhe e ka akuzuar opozitën se po përhap informacion fals duke alarmuar popullatën.