Opozita Lëshon Mbledhjen në Pejë

Opozitarët në Pejë lëshuan seancën e Kuvendit Komunal pasi votimi i rregullores për subvencionet u stërzgjat.

Gjatë mbledhjes ku duhej të votohej për miratimin e rregullores që kishte të bënte me kriteret e ndarjes së subvencioneve, grupi i grave asambliste kërkoi që kësaj rregulloreje t’i shtohet pjesa me të cilat sigurohet që 50 për qind e bursave t’u jepen studenteve.

NDËRLIDHUR

Këtë kërkesë e paraqiti në mbledhjen e asamblesë Xhenet Syka nga AAK-ja.

“Kërkojmë unanimisht që tek ndarja e bursave pas të gjitha kritereve të përmbushura dhe të respektuara, 50 për qind e përfituesve të bursave të jenë femra,” tha Syka.

Syka tha se rregullores është mirë t’i shtohet edhe mbështetja e  grave ndërmarrëse te projektet  në hoteleri dhe turizëm.

Islam Husaj, kryesuesi i Asamblesë Komunale të Pejës tha se ndryshimet e kërkuara është vështirë të zbatohen, pasi sipas tij ato është dashur të propozohen më herët në mënyrë që të kalojnë nëpër zyrën ligjore komunale.

“Problemi është se nuk mundemi të implementojmë se nëse janë në konkurrencë 60 femra dhe 40 meshkuj, atëherë duhet me i heq 10 femra. Jo mjeki, po s’mundesh m’i heqë,” tha Husaj

Këshilltarja e AAK-së Ilirjana Gafuri tha se gratë asambliste vetëm po kërkojnë diskriminim pozitiv për përfitueset e bursave.

“Në përzgjedhjen e fundit po ju lypim një lloj  diskriminim pozitiv që 50 për qind me qenë në listë përfundimtare femra edhe (tjerët)  meshkuj dhe burra. Ligji ekziston, mirëpo rregulloret bëhen që të implementohet  sa ma lehtë ligji,” tha Gafuri.

Asamblistët opozitarë kërkuan që të nxirret në votim propozimi i grupit të grave asambliste, por në votim u hodh vetëm rregullorja pa shtojcën që 50 për qind të bursave t’u jepen studenteve.

Kur votimi elektronik zgjati më tepër se 2 minuta, këshilltarët opozitarë të AAK-së dhe “Vetëvendosjes” në Pejë lëshuan sallën e mbledhjeve.

Rregullorja u miratua me 16 vota për, 9 kundër dhe 5 abstenime, ndërsa tre asamblistë nuk votuan fare.

01 Shkurt 2017 - 15:24

Shkodran Nikçi 01/02/2017 - 15:24
NDËRVEPRIMI0

Opozita Lëshon Mbledhjen në Pejë

by Shkodran Nikçi
NA NDIQNI

Send this to a friend