Seanca pa opozitën | Foto: KALLXO.com

Opozita Lëshon Kuvendin pas Vendimit për Haradinajn

Deputetët opozitarë lëshuan mbledhjen e sotme të Kuvendit pas vendimit të gjykatës në Francë që Ramush Haradinaj të mbahet atje deri më 6 prill.

Para se opozita ta ndërmarrë hapin e largimit nga Kuvendi, në lidhje me vendimin e gjykatës së qytetit Colmar foli shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj.

Lekaj vazhdimin e mbajtjes së Haradinajt në Francë e lidhi direkt me procesin e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Lekaj në fjalimin e tij vendimin për Haradinajn e cilësoi kidnapim të tij.

“Ky që pamë sot nga Colmari nuk pamë asgjë më shumë sesa një kidnapim. Haradinaj edhe pse është dorëzuar vetë në vitin 2005 dhe është shpallur dy herë i pafajshëm nga gjykata më e lartë evropiane, ai po mbahet peng nga një shtet evropian”, theksoi ai.

Lekaj tha se Ramush Haradinaj duhet të lirohet sa më shpejt.

“Për ndryshe e shohim si kombinim vendor e ndërkombëtar për eliminimin e tij nga skena politike vetëm pse po e mbron Kosovën”, tha Lekaj.

Lekaj kërkoj ndërprerjen e seancës dhe reflektimin e institucioneve të Kosovës.

Pastaj opozita lëshoi sallën e mbledhjes.

Shqetësime për vendimin e sotëm të gjykatës franceze rreth kërkesës ekstraduese të Serbisë për Haradinajn u shfaq edhe në emër të subjekteve tjera.

“Grupi parlamentar PDK-së kërkon nga faktori ndërkombëtar që të angazhohet për lirimin e menjëhershëm të Ramush Haradinajt. Kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet jo vetëm z. Haradinaj por të gjithë qytetarëve të saj”, tha Blerta Deliu në emër të deputetëve të PDK-së.

Edhe Besa Gaxherri në emër të LDK-së vendimin e gjykatës për Haradinajn e konsideroi padrejtësi.

LDK është tejet e shqetësuar me padrejtësinë e bërë ndaj Ramush Haradinajt. Kërkojmë nga drejtësia franceze vetëm drejtësi dhe asgjë më shumë”, tha Gaxherri.

Reagime për vendimin e gjykatës së qytetit Colmar të Francës erdhën edhe nga Qeveria e Kosovës dhe AAK-ja.

http://kallxo.com/qeveria-lojera-te-uleta-te-serbise/

 

http://kallxo.com/aak-perpjekje-per-menjanim-politik-te-haradinajt/