Glauk Konjufca | Foto: KALLXO.com

Opozita Ende në Kërkim të Nënshkrimeve për Deharin

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje” Glauk Konjufca duke pranuar se opozita nuk i ka 40 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme rreth vdekjes së Astrit Deharit, fajësoi përsëri partitë në pushtet për presion që kjo seancë të mos mbahet.

“Siç duket ka pasur shumë mobilizim nga ana e regjimit që kjo seancë të mos mbahet. Dy herë kemi mbledhur nënshkrime deri sot, e për shkak të trysnisë politike na ka dështuar. Tash aktualisht ndodhemi në 38 nënshkrime,” tha Konjufca.

Ai akuzoi kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli se thirri mbledhjen e Kryesisë vetëm pasi e dinte që opozita nuk i ka nënshkrimet e nevojshme për thirrje të seancës.

“Në momentin kur e ka arritur këtë, Kadri Veseli ka thirrur kryesinë për seancë të jashtëzakonshme, sepse e din që nuk i kemi nënshkrimet. Dikujt po i pengon shumë diskutimi për Astrit Deharin,” tha Konjufca.

Por Veseli tha se tragjedia e Deharit nuk duhet të shfrytëzohet për të bërë politikë.

“Politika kaniherë është teatër, por so mirë kur ka tragjedi me u shndërrru krejt në teatër në raste të tilla. E vërteta do të dalë, por dhembja do të mbetet,” tha Veseli.

Ai mohoi se u ka bërë presion deputetëve për të tërhequr nënshkrimet.

“Pyetni deputetët, ata do të ju përgjigjen. As nuk më kanë pyet kur e kanë nënshkrua, e as kur i kanë tërheq nënshkrimet,” tha Veseli.

Edhe dje në një konferencë për gazetarë “Vetëvendosja” u ankua se sapo po i arrin 40 nënshkrimet e deputetëve për këtë seancë, ndonjëri prej tyre po tërhiqet nga presioni që sipas VV-së po u vjen atyre nga pushteti.

http://kallxo.com/vv-pushteti-po-pengon-seancen-per-deharin/

Dje nënshkrimin nga kërkesa për seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohej për vdekjen e Astrit Deharit e tërhoqën deputetët Danush Ademi e Veton Berisha.

Të dy mohuan se u tërhoqën nga presioni, por thanë se dëshirojnë njëherë të shohin rezultatet e autopsisë dhe hetimit për vdekjen e Deharit.

http://kallxo.com/nenshkrimin-e-terheq-edhe-deputeti-berisha/

Pas mbledhjes së kryesisë, foli edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, Kuvendi nuk po arrin të caktojë një seancë për të folur për vdekjen e një studenti në burg,” tha Lekaj.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri mohoi presionin ndaj deputetëve nënshkrues.

“Absolutisht nuk është e vërtetë që tu bëj presion, se te kish qenë trysnia jonë ata nuk kishin nënshkru hiq. Ne dëshirojmë të përfundojnë rezultatet e me pas askush askënd s’mund ta pengojë që të flasim në seancë. Nuk na takon, e askujt si takon, këto raste të ndjeshme të shfrytëzohen për qëllime politike,” tha Beqiri.

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e “Vetëvendosjes” Aida Dërguti tha se ky subjekt nuk ka hequr sdorë nga sigurimi i 40 nënshkrimeve.

“Do të insistojmë t’i gjejmë edhe dy nënshkrime, nëse i gjejmë do ta thërrasim mbledhje të kryesisë dhe do të caktojmë seancën e jashtëzakonshme,” tha Dërguti.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit nga Lëvizja “Vetëvendosje” nuk morën pjesë sot në mbledhjen e saj.

“Politikisht do të ishte ma mire me ardhë edhe në mbledhje, vetëm e shfrytëzun këtë foltore për manifest politik,” tha Kadri Veseli për deputetët e “Vetëvendosjes”.

Astrit Dehari vdiq në rrethana të paqarta më 5 nëntor derisa po mbahej në paraburgim në Prizren, nën dyshimet për sulmin e 4 gushtit me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.