Kastriot Myftaraj

Opinionisti Shqiptar Arrestohet dhe Lirohet pas Thirrjes për Vrasjen e Diplomates

Myftaraj, 51 vjeç, u ndalua nga policia në shtëpinë e tij mbrëmjen e së martës, dy ditë pasi kishte publikuar një shkrim në faqen e tij në Facebook ku ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri Romana Vlahutin fyhej në mënyra të ndryshme dhe banale ndërsa në fund të shkrimit, thuhej se vrasja e saj nga ndonjë shqiptar nuk duhet të konsiderohet si akt terrorist por si akt antiterrorist. Por mesditën e të mërkurës, prokuroria bëri të ditur se kishte urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm me argumentin se nuk sheh vepër penale që duhet të ndiqet nga prokuroria.

Policia bëri të ditur në një njoftim për shtyp se arrestimi u krye nga policia në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës, por pak orë më vonë, Prokuroria e hodhi poshtë këtë pretendim. Sipas policisë, Myftaraj qe arrestuar i akuzuar për shkelje të nenit 223 të Kodit Penal ku thuhet: “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

Gjithsesi Prokuroria e konsideroi shkrimin e tij si një rast të fyerjes apo të shpifjes, që të dyja janë gjithashtu vepra penale në Shqipëri por të tilla që nuk ndiqen nga prokurorët por nga pala e prekur.

Myftaraj ka një faqe në Facebook me mbi 30 mijë pëlqime ndërsa shkrimi i tij kundër Vlahutin mori qindra pëlqime si dhe shumë komente lavdëruese ose kritikuese ndaj shkrimit.

Arrestimi i tij ngriti spektrin e diskutimit se ku përfundon liria e fjalës dhe ku fillon abuzimi me lirinë e fjalës.

“Thirrjet për dhunë dhe gjuha e urrejtjes nuk mbrohen nga liria e shprehjes, por shumë gjëra varen nga mënyra e formulimit të fjalisë,” tha për BIRN Theo Alexandridis, një ekspert ligjor i lirisë së shprehjes pranë qendrës “Res Publica” në Tiranë.

Gjithsesi, gazetarë dhe opinionistë, ndonëse nuk pajtohen me gjuhën e urrejtjes të shprehur në shkrim, e konsideruan arrestimin e tij një masë disproporcionale dhe të panevojshme.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve tha se “Për shkak të fjalës nuk mund të përdoret burgu ndaj publicistëve”, ndërsa Mero Baze, botues i Gazetës Tema tha se rasti i Myftarajt duhet të trajtohet si një ekstremizëm në të cilin, arrestimi është një mjet disproporcional dhe i panevojshëm. Baze, i cili e gjeti veten në vitin 2009 në të njëjtën situatë kur një shkrim i botuar në gazetën Koha Jonë bënte thirrje për vrasjen e tij, tha se raste të tilla duhet të trajtohen si probleme shoqërore dhe jo domosdoshmërisht si çështje penale.

Myftaraj është vënë shpesh në akuzë për gjuhë urrejtjeje më herët, veçanërisht ndaj myslimanëve.

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë Romana Vlahutin është vënë shpesh gjatë muajve të fundit nën sulmet e mediave periferike kryesisht në internet me akuza të shumëllojshme dhe me fyerje banale, veçanërisht në lidhje me reformën në drejtësi. Në shkrimin për të cilin Myftaraj u arrestua, Vlahutin sulmohet mes të tjerash për çështje morali dhe si agjente e Serbisë.

Kodi Penal i Shqipërisë mbart shumë klauzola të cilat dënojnë rastet e gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve për akte terroriste. Nga ana tjetër, shpifja dhe fyerja u ndryshuan si vepra penale në vitin 2012 pas kërkesës së organizmave ndërkombëtare dhe organizatave shqiptare të lirisë së fjalës, me synimin për t’i dekriminalizuar këto dy vepra që më parë mbartnin dënime me shumë vite burg.

Tendenca ndërkombëtare aktualisht është që çështje të tilla të shpifjes dhe fyerjes të trajtohen nga gjykatat si mosmarrëveshje civile. Por deputetët shqiptarë në vitin 2012 nuk pranuan të dekriminalizonin tërësisht shpifjen dhe zgjodhën një rrugë të mesme, në të cilën, një person mund të dënohet penalisht me gjobë për shpifje, por akuzën duhet ta ngrejë në gjykatë pala e prekur dhe jo prokuroria.

Gjithsesi, kërcënimi për akte terroriste, nxitja, thirrja publike apo shpërndarja e shkrimeve ose propagandës për kryerjen e akteve terroriste janë vepra penale.