Pamje nga një aksident i mëhershëm komunikacioni - Foto: KALLXO.com

Operacioni ‘Vikendi’ Gjobit Shoferët nën Ndikimin e Alkoolit

Në kuadër të aktiviteteve për rritjen e sigurisë dhe shmangien e faktkeqësive në komunikacion, Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Prishtinë është duke e zbatuar planin operativ “Vikendi”, qëllimi i të cilit është të pengohet pjesëmarrja në trafik e shoferëve që janë nën ndikimin e alkoolit.

Plani “Vikendi” ka filluar të zbatohet që nga data 3 mars.

Sipas komandantit të Trafikut Regjional të Prishtinës, Milaim Fejzullahu, brenda tri jave janë shqiptuar 24 fletëparaqitje për kundërvajtje ndaj shoferëve të cilët e kanë drejtuar automjetin nën ndikim të alkoolit.

“Shoferëve u është ndaluar qarkullimi në komunikacion dhe rasti i drejtohet gjykatës ku edhe merret vendimi për ta”, theksoi komandanti Fejzullahu për KALLXO.com.

Këtë aksion Policia po e zhvillon në hyrje të Prishtinës dhe brenda qytetit, në zona ku ka fluks më të madh të automjeteve.

Kontrollimi i shoferëve në kuadër të këtij plani operativ zhvillohet të premteve dhe të shtunave ndërmjet orës 23:00 dhe 04:00 të mëngjesit.

Policia ka bërë të ditur se ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.