Oliver Ivanoviqi në Gjykatën e Apelit

Në Gjykatën e Apelit ka nisur shqyrtimi i rastit të Oliver Ivanoviqit dhe katër personave tjerë.

Ankesën në Apel ndaj vendimit të themelores e kishte paraqitur mbrojtja e Oliver Ivanoviqit, ndërsa prokuroria ishte ankuar për lirimin e të akuzuarve tjerë të këtij procesi gjyqësor.

Pasi në gjykatë u konstatuar prania e palëve, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi përjashtimin nga kolegji i Apelit të gjyqtarit Driton Muharremi.

Mbrojtja pretendon se gjyqtari Muharremi është i anshëm, ndërsa nuk u beson gjyqtarëve kosovarë.

Avokati i të akuzuarit Ilija Vujaçiq, duke arsyetuar kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Muharremi tha se për klientin e tij trupi gjykues i EULEX-it në shkallë të parë ka qenë mjaft objektiv, ndërsa kërkoi që edhe kolegji i Apeit të jetë i përbërë vetëm nga gjyqtarë të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit.

Prokuroria dhe pala e dëmtuar nuk e kundërshtuan përbërjen e kolegjit.

Sipas prokurorisë, mbrojtja po kërkon përjashtimin e gjyqtarit vetëm pse ai është shqiptar dhe kjo nuk duhet të ndodhë.

I dëmtuari Isa Mustafa deklaroi se nuk e kupton se si avokati Nebojsha Vllajiq kërkon përjashtimin e Muharremit dhe nuk e njeh kolegun e vet.

Mustafa deklaroi se pret që Gjykata e Apelit do ta përfundojë këtë gjykim në mënyrë reale.

Kryetari i kolegjit të Apelit vendosi ndërprerjen e seancës deri sa të vendoset në lidhje me kërkesën e mbrojtjes për përjashtimin e gjyqtarit Driton Muharremi.

Edhe seanca e caktuar për nesër u shty në muajin tetor.

Oliver Ivanoviq u dënua me nëntë vjet burg më 21 janar të këtij viti për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve.

Ai akuzohej ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur supozohet se ishte lider i një njësie paraushtarake policore.

Ivanoviq akuzohej gjithashtu bashkë me Dragolub Delibashiqin për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Aleksandar Lazoviq dhe babë e bir Ilija dhe Nebojsa Vujaçiq ngarkoheshin me akuza për vrasje ose tentativë për vrasje.

Më 21 janar Ivanoviq ishte liruar nga akuza për nxitje në vrasje të rëndë, ndërsa të pafajshëm qenë shpallur edhe Dragolub Delibashiq, Aleksandër Llazoviq dhe Ilija e Nebojsha Vujaçiq.

http://kallxo.com/sot-vendimi-per-oliver-ivanoviqin/

Shkrimet e KALLXO.com për gjykimin e Oliver Ivanoviqit mund t’i lexoni këtu.

ivanoviq4 ivanoviq1 ivanoviq