Oliver Ivanoviq në Gjykatën e Apelit | Foto: KALLXO.com

Oliver Ivanoviq Lihet në Arrest Shtëpiak

Gjykata Themelore e Mitrovicës së Veriut vendosi të mërkurën se Oliver Ivanoviq, një ish-zyrtar i Qeverisë serbe dhe kreu i një partie politike serbe të Kosovës të quajtur Liri, Demokraci, Drejtësi duhet të lirohet por të mbahet në arrest shtëpiak për dy muaj.

Vendimi erdhi një javë pasi vendimi që e shpallte Ivanoviqin fajtor u rrëzua dhe u dërgua për rigjykim.

“Kam përshtypjen se drejtësia po jepet me lugë të vogla dhe pjesërisht, duke qenë se gjykata nuk pati kurajë ta lironte plotësisht Oliver Ivanoviqin”, tha avokati i tij Nebojsha Vlajiq për mediat serbe.

Gruaja e Ivanoviqit, Milena Popoviq Ivanoviq shprehu kënaqësi në lidhje me zhvillimet e fundit.

“Sot u mor një tjetër hap i madh drejt drejtësisë dhe lirisë. Pas dy muajsh arrest shtëpiak prisja që Oliveri të lirohej me kusht”, tha Popoviq sipas një raportimi nga “N1 TV”.

“Më në fund, po shihet fundi i farsës që nisi më shumë se tre vjet më parë”, shtoi ajo.

Ivanoviq u shpall fajtor janarin e kaluar për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve etnikë në Mitrovicë në vitin 1999 kur mendohet se ishte lideri i një njësie policore paraushtarake.

Shqiptarët u vranë nga të ashtuquajturit “Rojet e Urës” – ekstremistë serbë që patrullonin afër urës kryesore në Mitrovicë që ndan qytetin në zonën serbe dhe atë shqiptare.

Ivanoviq nisi një apel kundër vendimit për dënimin e tij tetorin e kaluar.

Gjykata e Apelit në Prishtinë vendosi më 16 shkurt për rigjykimin e tij.

http://kallxo.com/apeli-e-dergon-ne-rigjykim-rastin-e-oliver-ivanoviqit/

Avokatët e tij pretenduan se ishin shkelur procedurat gjyqësore dhe faktet në gjyqin e tij ishin paraqitur keq.

Ivanoviq ka përsëritur vazhdimisht se gjyqi i tij ishte i motivuar politikisht. Ai ka hyrë në grevë urie në shenjë proteste disa herë gjatë gjyqit.

Edhe zyrtarë të Beogradit e kanë kritikuar çështjen kundër tij si të padrejtë dhe të motivuar politikisht.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi gjykimin e Oliver Ivanoviqit. Raportet mund t’i gjeni këtu.