OJQ-të: Qeveria ta Suspendojë Ramadan Mujën

Tridhjetë e nëntë përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës që ta largojë nga pozita kryetarin e Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, të cilin e akuzojnë për keqqeverisje dhe neglizhencë.

Në një konferencë të mbajtur para Qeverisë, Agron Demi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara (GAP), kërkoi nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Qeveria që ta suspendojnë kryetarin e Prizrenit dhe që rastin e tij ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Qeverisja në nivel lokal, sidomos në komunën e Prizrenit, ka degraduar dhe nuk është konform ligjeve kushtetuese dhe kodeve të etikës. Ajo që kemi kërkuar sot prej ministrit të Pushtetit Lokal dhe Kryeministrit të Kosovës është ta suspendojnë kryetarin në afat 30 ditor dhe gjatë kësaj kohe ta procedojë rastin në Gjykatë Kushtetuese”, tha Demi.

Përndryshe, tha Demi, nëse Qeveria nuk ndërmerr asgjë lidhur me këtë kërkesë do të konsiderohet bashkëfajtore për rastin e vdekjes së trevjeçares Xheneta Gashi në Prizren.

“Qeveria nëse nuk e ndërmerr këtë hap është bashkëfajtore në tragjedinë e Prizrenit, është vazhdimësi e këtyre keqpërdorimeve që po ndodhin jo vetëm në Prizren po në shumë komuna të Kosovës”, shtoi ai.

Po ashtu, drejtori i Institutit GAP paralajmëroi se nëse nuk ndërmirret asgjë me këtë rast OJQ-të do t’i vazhdojnë protestat.

“Hapi tjetër do të jetë vazhdimi I protestave”, tha në fund Dema.

KALLXO.com ka transmetuar drejtpërdrejt protestën e javës së kaluar, e cila u mbajt në qendër të Prizrenit, në të cilën u kërkuar dorëheqja e kryetarit Ramadan Muja dhe e dy ministrave, Kujtim Shala dhe Ferid Agani.

http://kallxo.com/pak-qytetare-ne-protesten-pas-tragjedise-ne-prizren/

Protesta është organizuar pak ditë pas vdekjes tragjike të Xheneta Gashit. 3-vjeçja vdiq më 6 qershor nga shembja e një objekti të vjetër në Qendrën Historike të qytetit.