Oda e Avokatëve: Vendimi i Qeverisë, Goditje për Sistemin e Drejtësisë

Kryetari i Odës së Avokatëve, Osman Havolli, tha se vendimi i Qeverisë nuk ka precedent.

“Më datë 19 prill, sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe institucionet që garantojnë funksionimin  e mirëfilltë të shtetit ligjor siç janë Këshilli Gjyqësor e Prokurorial, Policia e Kosovës dhe Oda e Avokatëve, janë goditur nga Qeveria e Kosovës në pavarësinë e funksionimit të saj të mirëfilltë”, tha Havolli.

Havolli tha se asnjëherë më parë qëkur ekziston Oda e Avokatëve nuk është shënuar një rast i tillë i ndërhyrjes.

“Qëkur ekziston dhe janë formuar institucionet e Republikës së Kosovës, është hera e parë që një qeveri interferon dhe cenon pavarësinë e Odës së Avokatëve. Pavarësia e Odës është e garantuar me aktet më të larta juridike të vendit”, tha Havolli.

Lidhur me rregulloren, tashmë të pezulluar të Odës së Avokatëve, Havolli tha se atë e kanë kontestuar vetëm rreth 40 nga gjithsej 700 avokatë sa janë në Kosovë.

Kryetari Havolli tha se do t’i kërkojnë Qeverisë ta rishikojë këtë vendim.

Ai e pranoi se Ligji aktual i Avokatisë lejon rishikimin e akteve të Odës dhe shtoi se do të kërkojnë ndryshimin e këtij Ligji.

Ndërsa, avokatja Albana Kelmendi, e cila që nga fillimi i ka kundërshtuar rregulloren e Odës, e vlerëson shumë të drejtë vendimin e Qeverisë.

http://kallxo.com/qeveria-pezullon-rregulloren-e-odes-se-avokateve/

Rregullorja e Odës së Avokatëve, e nxjerrë në qershor të vitit të kaluar, privon nga e drejta e përfaqësimit sipas detyrës zyrtare avokatët që kanë më pak se 3 vjet përvojë pune në Departamentin për Krime të Rënda dhe atë për të Mitur.

Kjo rregullore është kontestuar edhe në Kuvendin e fundit të Odës së Avokatëve nga disa avokatë.

http://kallxo.com/kontestohet-rregullorja-per-perfaqesim-sipas-detyres-zyrtare/