Objekti i Ministrisë së Arsimit

Oda e Afarizmit Kërkon Kuadro të Punës nga MASHT-i

Në takimin e ministrit të Arsimit me përfaqësuesit e Odës së Afarizmit u diskutua për zhvillimin e kuadrove të dala nga shkollat profesionale të cilat janë të nevojshëm për tregun e punës.

Në takim u fol edhe për krijimin e plan-programeve të bashkëpunimit me biznese me qëllim të finalizimit të praktikës përkrah anës teorike të studentëve si dhe për akreditimin e institucioneve që kanë programe trajnimi.

Ministri  i Arsimit, Shyqiri Bytyqi theksoi se shqetësimet e ngritura në takim, lidhen me programin e tij dhe tash që janë në pozitë e kanë më të lehtë qasjen ndaj ndryshimeve.

“Jemi të vetëdijshëm që bizneset e kanë problemin e kuadrove dhe duhet të paguajnë ekspertë të huaj e me kosto shumë të lartë. Prandaj për neve është e rëndësishme që të bashkëpunojmë me ju dhe të gjithë ata që janë të gatshëm të kontribuojnë, për të sjellë modele për ndryshim dhe të avancojmë zhvillimin profesional”, theksoi Bytyqi.

Ndërsa anëtari i Bordit të OAK-ut Hysni Zogaj vuri në pah edhe disa çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me faktin se asnjë mësues nuk është i licencuar, kurrikulat e reja nuk inkorporohen me librat e programet e vjetra që ekzistojnë, si dhe mbyllja e disa shkollave model që kanë qenë të suksesshme në Komunën e Prishtinës.

Sa i përket  çështjes së mësimit tërëditor në Shkollën Model, ministri Bytyqi tha se është në programin e tij qeverisës, por ka probleme me infrastrukturë.

“Jemi të fokusuar që fillimisht të vlerësohet saktësisht sa shkolla mungojnë dhe sa kushton realizimi i projektit në tërësi, në mënyrë që të kontribuojnë në rritjen e cilësisë”, theksoi Bytyqi.