Ruairi O'Connell, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

O’Connell: Kjo Mund të Jetë Nata më e Rrezikshme për Kosovën

Ambasadori britanik Ruairi O’Connell duke folur për KTV-në tha se nata e sotme mund të jetë më e rrezikshmja për Kosovën nëse vendoset që të zhbëhet Ligji për Dhomat e Specializuara.

“Ne kemi qenë gjithmonë miq të sinqertë të Kosovës. Por nëse miratohet sonte kjo, mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta”, tha O’Connell.

Në vitin 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

O’Connelll tha se atëherë interesat shtetërore u vendosën para atyre personale.

“Kësaj here kam përshtypjen se interesat personale po vihen para interesave të shtetit”, tha O’Connell.

Ai konstatoi se NATO-ja nuk është mashtruar kur ka ndërhyrë në Kosovë.

“NATO-ja nuk është mashtruar për të ndërhyrë, por ka pas arsye për të ndërhyrë. Ne e dimë saktë se çka ka ndodhur këtu gjatë luftës. Më vinte shumë mirë kur para dy viteve ka pasur gatishmëri për të pranuar drejtësi për të gjithë. Më vjen shumë keq tash kur dëgjoj tash një përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Specialen”, tha O’Connell.

Reagime të ashpra për nismën e 43 deputetëve të Kosovës që të shfuqizohet ligji që i hapi udhë Speciales ka pasur edhe nga ambasadori amerikan Greg Delawie.

http://kallxo.com/mesazhi-trete-delawie-shfuqizimi-speciales-thike-pas-shpine/