Lista Serbe duke e mbajtur tubimin elektoral në Graçanicë, më 2 qershor 2017. Foto: Armenije Zajmi/ Beta

Obligimi Kushtetues, S`ka Qeveri pa Listën Serbe

Koalicioni PAN, që doli fitues në zgjedhjet e 11 qershorit do të ketë të drejtën për të formuar qeverinë.

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi pritet ta mandatoj për kryeministër kandidatin e PAN-it, e që është Ramush Haradinaj.

Megjithatë, deri më tani, PAN nuk ka arritur të lidh koalicion me asnjë parti apo koalicion tjetër. Të paktën jo zyrtarisht.

PAN nga zgjedhjet e 11 qershorit ka fituar 39 ulëse, dhe nëse të gjithë përfaqësuesit e minoriteteve do ua besojnë votën qeverisë Haradinaj, prapë do i duheshin së paku edhe 2 deputetë tjerë, në mënyrë që ta ketë shumicën e thjeshtë.

Deri më tani, koalicioni LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin atë Qeveri, ku pjesë e saj do të jetë edhe PDK-ja.

Megjithatë, Haradinaj së bashku me zyrtarë të tjerë nga koalicioni PAN janë shprehur disa herë se i kanë votat e mjaftueshme për krijim të Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje disa herë ka deklaruar se një qeveri më këta numra, do ta fuqizonte shumë Listën e Serbe brenda institucioneve.

Sipas tyre, nëse do të krijohej qeveria ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA, atëherë fuqia e Listës Serbe nuk do të ishte e madhe, pasi që edhe pa Listën Serbe, një qeveri mes këtyre dy subjekteve do ta kishte shumicën.

Albert Krasniqi nga KDI që monitoron punën e Kuvendit ka shpjeguar për KALLXO.com se komuniteti serb duhet të përfshihet me patjetër në Qeveri.

“Përfshirja e komunitetit serb në qeveri është obligim kushtetues që duhet t`i përmbahet secili subjekt politik që formon qeverinë. Komunitetit serb duhet t`i ndahet një ministri, nëse numri i ministrive nuk është më i madh se 12. Për emërimin e ministrit nga komuniteti serb, nëse është jashtë përbërjes së deputeteve që mbajnë ulëse të garantuara nga komuniteti në fjalë, duhet të ketë miratimin formal që kërkon votat e së paku 6 nga 10 deputetet serb”, ka thënë ai për KALLXO.com

Mirëpo nëse komuniteti serb, refuzon të marrë pjesë në koalicionin qeverisës, pozita ministrore mbetet vakante.

“Mirëpo, nëse komuniteti serb refuzon të përfshihet në bashkëqeverisje, atëherë pozita ministrore që i takon komunitetit serb mbetet vakante, dhe e njëjta mund të ushtrohet nga zëvendësministri”, tha ndër tjerash Krasniqi për KALLXO.com

Ndërsa, Belgzim Kamber, anëtar kryesie i Lëvizjes Vetëvendosje tha për KALLXO.com se në një qeveri potenciale të Vetëvendosjes nuk do të ftohen individ nga komuniteti serb, që sipas tij janë dorë e zgjatur e Serbisë.

“Ndryshe nga PAN, Lëvizja Vetëvendosje angazhohet për krijimin e një shumice parlamentare me koalicionin LAA e cila nuk do të varet nga Lista Serbe. Lëvizja Vetëvendosje do të ftojë në qeveri subjekte dhe individ nga komuniteti serb që nuk janë dora të zgjatura të Beogradit zyrtar në Kosovë”, tha Kamberi për KALLXO.com

Megjithatë ai thotë se Vetëvendosje do të respektojë normat kushtetuese dhe ligjore për përfaqësimin e komuniteteve minoritare në institucione, edhe ekzekutive, përfshirë edhe komunitetit serb.

KALLXO.com kishte shkruar vitin e kaluar për fuqinë e Listës Serbe që e ka brenda Kuvendit të Kosovës, e cila për shkak të kompetencave kushtetuese që i ka, shpesh herë ka qenë ndaluese e shumë proceseve në Kosovë.

Fuqia e Heshtur e Listës Serbe

KALLXO.com, ditë më parë ka shkruar për procedurat që duhet ndjekur tash e tutje për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

http://kallxo.com/kuvendi-dhe-qeveria-e-re-ne-duar-te-presidentit-thaci/